Alarm në Gjirin Thermaikos, temperaturat e larta rrezikojnë fermerët e midhjeve!

21/06/2025 15:22

Në ujërat e cekëta të Gjirit Thermaikos në Selanik, pasqyrimi i diellit në sipërfaqen blu mund të duket paqësor.

Por nën këtë sipërfaqe, fshihet një krizë në rritje – një kërcënim që po prek drejtpërdrejt jetesën e qindra fermerëve vendas. Korrikun e kaluar, temperaturat e detit në këtë zonë arritën nivele alarmante – mbi 30 gradë Celsius – një nivel që deti nuk e ka përballuar më parë.

Kjo nxehtësi vdekjeprurëse  zhduku gati 90% të midhjeve në impiantet brenda kësaj zone si edhe farën për sivjet, duke i kthyer ujërat dikur të begata në një zonë thuajse të pajetë.

Sipas kultivuesve , humbja e prodhimit dhe e të ardhurave ishte katastrofike. Sidomos në Halastra dhe Kymina, qindra fermerë tani përballen me një të ardhme të pasigurt pasi ka familje që prej katër brezash kultivojnë midhje dhe gjithë banorët jetojnë vetëm në sajë të fermave të tyre në parcelat detare.

Ndryshimi i klimës sjell një realitet të ri ku shumica ndihen të braktisur përballë këtij fenomeni në vitet e fundit dhe mungesës së mbështetjes nga shteti ,ndaj dhe ardhmja e kultivimit të midhjeve është bërë jashtëzakonisht e pasigurt.

Pa ndihmë konkrete thonë ata ,rrezikojnë të braktisin zanatin e tyre. Dhe me to, edhe një traditë që për dekada ka ushqyer rajonin dhe ka eksportuar midhje në të gjithë Evropën.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar për vite me radhë se ndryshimi i klimës do të ngrohte ujërat e Mesdheut, por pak prisnin që pasojat të ishin kaq të shpejta dhe katastrifike.

Pa asnjë farë të mbetur për t’u rigjallëruar, kriza e midhjeve shkon përtej një shkalle lokale. Greqia eksporton gati 20,000 ton midhje çdo vit – dhe tani, i gjithë ky zinxhir ushqimor është në rrezik.

Top Channel