
Rinumërimi i votave në Tiranë ka zbuluar edhe trafikimin e fletëve të votimit brenda listës preferenciale të kandidatëve.
Në listën e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, pretendonte se shumë vota të tij kishin kaluar te kandidatët e tjerë.
Por ajo që doli nga 333 kutitë e para ishte fakti që Alimehmeti në procesverbal rezulton të ketë 30 vota më shumë se çfarë kishte realisht në kuti.
Në radhët e demokratëve, kandidatët me më shumë vota në procesverbal se në kuti janë Petrit Gjorgji me 49 vota, Besim Kuka me 24 vota, Edit Harxhi me 18 vota dhe Ilir Meta me 22 vota.
Ndërkohë që rivalja e Alimehmetit për të hyrë në listën fituese, Jorida Tabaku ka 10 vota më pak në procesverbal, sesa në kuti.
Kandidatët demokratë më të “persekutuar” në numërimin e parë kanë qenë Asllan Dogjani me -13 vota, Salvador Kaçaj me -18 vota dhe Ilda Zhulali me -10 vota.
Sa i përket Partisë Socialiste, Xhemal Qefaliaj ka 113 vota më shumë, ministri Ervin Hoxha 88 vota më shumë, kandidatja për deputete Kejsi Elezi rezulton me 83 vota më shumë në procesverbalë se sa kishte në kutinë e votimit, ndërsa Fatmir Xhafaj ka 59 vota më shumë, dhe Erion Braçe me 15 vota plus.
Në listën e hapur të PS-së, në garë deri në fund ishin Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Por rinumërimi deri tani, duket se nuk e ndryshon faktin që Xhaçka vijon të mbajë mandatin e deputetes.
Ish-ministrja ka marrë vetëm 15 vota më shumë në procesverbal nga sa kishte në kuti, ndërsa Gjylametit i mungojnë 5 vota. Kandidatët e PS-së më të “persekutuar” nga numëruesit deri tani rezulton Mimi Kodheli -40.
Top Channel