Mes konflikti me Iranin, Izraeli vazhdon të mbajë nën kontroll situatën ne Gaza, e madje lëshoi paralajmërime edhe ndaj Hezbollahut në Liban.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz e paralajmëroi grupin libanez të jetë i kujdesshëm, duke shtuar se vendit i tij i është sosur durimi ndaj “terroristëve” që e kërcënojnë.

Israel Katz: Udhëheqësi i Hezbollahut duket nuk paska nxjerrë mësime nga paraardhësit e tij dhe tani po kërcënon të veprojë kundër Izraelit. Unë sugjeroj që përfaqësuesi libanez të jetë i kujdesshëm dhe të kuptojë se nëse ka terror, nuk do të ketë Hezbollah.

Me komentet e tij, Katz iu referua ish-kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili u vra nga Izraeli shtatorin e kaluar. Lideri aktual, Naim Qassemi, tha një ditë më parë se grupi i drejtuar prej tij do të veprojë si ta vlerësojë më mirë, në dritë të asaj që e quajti “agresion brutal izraelito-amerikan” kundër Iranit.

Megithatë, në një deklaratë tjetër të bërë javën e kaluar, Hezbollahu nuk bëri ndonjë zotim të qartë lidhur me bashkimin me Iranin në konfliktin kundër Izraelit.

Ky grup libanez bën pjesë në të ashtuquajturin “Bosht i Rezistencës” – një rrjet i bashkëpunëtorëve rajonalë të Iranit, ku përfshihen grupe milicie, por edhe Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Top Channel