Miratohet projektligji! Britania dhe Uellsi drejt legalizimit të vdekjes së asistuar për të sëmurët terminalë, ja si do të funksionojë

20/06/2025 19:23

Një projektligj historik që u jep të drejtën për vdekje të asistuar pacientëve në fazën terminale është miratuar në Dhomën e Komunave në Angli dhe Uells, duke hapur rrugën për një nga ndryshimet më të mëdha në legjislacionin e kujdesit në fund të jetës.

Projektligji i propozuar nga deputetja laburiste Kim Leadbeater kaloi me një shumicë të ngushtë – 314 vota pro dhe 291 kundër – dhe parashikon që të sëmurët me më pak se gjashtë muaj jetë, pas vlerësimit nga dy mjekë dhe një panel profesional, të kenë të drejtën të zgjedhin një fund të kontrolluar të jetës së tyre.

Kryeministri Keir Starmer votoi pro, ndërsa qeveria lejoj një votë të lirë për deputetët. Nisma tani pritet të shkojë në Dhomën e Lordëve, ku pavarësisht kundërshtimeve të forta, përfshi nga përfaqësues të kishës dhe aktivistë të personave me aftësi të kufizuara, projektligji pritet të ecë përpara.

Mbështetësit e konsiderojnë një hap drejt dhembshurisë dhe dinjitetit, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë për rreziqet e presionit ndaj të dobëtëve dhe mungesës së mbrojtjes së mjaftueshme ligjore. Sipas nismës, çdo rast do të kalojë në filtër të rreptë nga autoritetet mjekësore dhe ligjore.

Nëse miratohet përfundimisht, projektligji pritet të hyjë në fuqi brenda katër viteve, duke i dhënë kohë sistemit shëndetësor dhe qeverisë për përgatitjen e zbatimit praktik.

Top Channel