
Ambasadori i Izraelit në BE dhe NATO, Haim Regev, e justifikoi sulmin e vendit të tij ndaj Iranit me arsyetimin e se veprimet e këtij të fundit nuk i kishin lënë zgjidhje tjetër.
Në një intervistë për Euroneës, Regev paralajmëroi se kërcënimi nga ambiciet bërthamore të Teheranit mund të përhapet përtej Lindjes së Mesme.
“Irani përbën një kërcënim jo vetëm për Izraelin, por edhe për rajonin dhe për Europën. Iranianët janë të përfshirë në promovimin e terrorit, janë të përfshirë në provokime, janë të përfshirë në shumë, shumë akte të tjera. Praktikisht, ata janë tashmë shkak kryesor i paqëndrueshmërie për rajonin dhe për botën”-u shpreh Haim Regev.
Komentet e Regev vijnë në kohën kur pas shtatë ditësh konflikti, përplasjet Iran-Izraeli nuk japin shenja zbutjeje. Të enjte, Irani lëshoi 30 raketa balistike drejt Izraelit, e një prej tyre goditi Qendrën Mjekësore Soroka në Be’er Sheva.
Breshëria e forcave të armatosura irakiane dukej se ishte një hakmarrje e drejtpërdrejtë për sulmet izraelite në infrastrukturën bërthamore të Teheranit një ditë më parë. “Irani ka një plan të qartë për shfarosjen e shtetit të Izraelit”, insistoi Regev, që shtoi se Irani po përshpejton programin e tij, planin e tij, në dy aspekte kryesore.
Së pari, programin e tij bërthamor dhe së dyti, prodhimin e raketave tokë-tokë.”Pra, kështu mbërritëm në pikën kur e pamë se duhet të veprojmë për ta larguar këtë kërcënim’, insistoi ai.
Top Channel