
Shefi i diplomacisë serbe, Marco Gjuriç i cilësoi “persekutim të hapur politik” fletarrestet e lëshuara nga autoritetet në Kosovë lidhur me vendosjen e barrikadave në veri më 2022.
Në mesin e 11 personave në emrat e të cilëve janë lëshuar mandate-arrestet, është edhe Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe –i cili kërkohet nga autoritetet në Kosovë edhe r sulmin e armatosur më 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Gjuriç u shpreh i indinjuar e insistoi fletarrestet janë “të pabazuara” dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me deklaratën e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Departamentit amerikan të Shtetit të publikuar në dhjetor të vitit 2022.
Kryediplomati serb tha se në bazë të kësaj deklarate, barrikadat ishin hequr pasi kishte “garanci ndërkombëtare se nuk do të kishte masa represive ndaj pjesëmarrësve”.
“Me këtë veprim, Prishtina minon drejtpërdrejt besueshmërinë e BE-së si ndërmjetësuese dhe shkel brutalisht frymën e uljes së tensioneve që ishte vendosur atëherë”, u tha në deklaratë.
Gjuriç i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-së dhe BE-së, që të reagojnë urgjentisht dhe “të mbrojnë të drejtat themelore të popullit serb”.
Përfaqësuesit serbë që kishin marrë pjesë në barrikadat e dhjetorit 2022 në veriun e Kosovës kishin vendosur disa kushte për heqjen e tyre, si lirimi i serbëve të arrestuar dhe “tërheqja” e listave të supozuara me emra serbësh të cilët sipas tyre, Prishtina zyrtare kishte në plan t’i arrestonte.
Top Channel