Pas pamjeve të rënda të publikuara dy ditë më parë për kushtet në Morgun e Tiranës, Instituti i Mjekësisë Ligjore reagoi duke i kthyer përgjigje kërkesës së Fiks Fare mbi gjendjen e morgut.

Në përgjigjen  e tij, IML sqaron se çdo ditë përballen me fluks kufomash, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Aktualisht në Morgun e Tiranës janë vetëm 3 frigoriferë me kapacitet total prej 13 vendesh, por nuk sqaron nëse janë funksionale.

Sipas IML, në periudhën Qershor -Shtator të viti 2023 janë pranuar 266 raste mjeko ligjore të shtetasve të huaj dhe shqiptarë, për periudhën Qershor -Shtator të viti 2024 janë pranuar 255 raste të shtetasve të huaj dhe shqiptarë.

Për rastet e trupave të paidentifikuar që ndodhen në morg, Instituti i Mjekësisë Ligjore sqaron se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ndjekjen e procedurave ligjore për kryerjen e ceremonisë mortore nga autoritete përkatëse, dhe për shumë raste janë në pritje të marrjes së lejes së varrimit.

Për të përballuar fluksin, Morgu i Tiranës ndjek një procedurë pune që parashikon lëvizjen e trupave të ngrirë për të liruar hapësirat e nevojshme për trupat e sapoardhur. Sipas tyre, ky proces kryhet çdo 12 orë.

Për sa i përket zhvendosjes së kufomave në morgun e spitaleve të tjera rajonale, Instituti i Mjekësisë Ligjore sqaron se  kjo është një procedurë transferimi , të cilën ata e ndjekin kur fluksi i trupave pajetë që shkojnë në morg, është i madh.

IML sqaron se ky veprim është i domosdoshëm për të garantuar ruajtjen e trupave të pajetë, respektimin e standardeve mjekoligjore dhe shmangien e çdo rreziku shëndetësor apo etik që mund të shkaktojë tejmbushja e ambienteve.

Gjithashtu IML sqaron se janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e dhomës së re frigoriferike me kapacitet 100 vende kufoma mbajtës.

Aktualisht, morgu ka vetëm 3 frigoriferë me 13 vende – por nuk saktësohet nëse të tre janë funksionalë dhe as sa është numri i kufomave që ndodhen aktualisht në këtë institucion.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel