Një javë nga fillimi i bombardimeve! Izraeli godet mbi 1100 objektiva në Iran, Fordow mbetet i paprekur

19/06/2025 09:28

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, ndërsa të dyja palët shkëmbejnë sulme ajrore dhe raketore që kanë prekur objekte strategjike dhe zona të populluara.

Ushtria izraelite (IDF) ka sinjalizuar se fushata e saj do të vazhdojë për të paktën dy javë të tjera, ndërkohë që Irani ka paralajmëruar ndëshkime të ashpra, duke aktivizuar pjesë të arsenaleve të tij raketorë dhe me dronë.

Një artikull investigativ i gazetës Haaretz hedh dritë mbi përgatitjet e Izraelit, të cilat nisën me një takim paraprak në nëntor, ku 120 oficerë hartuan një listë provizore objektivash. Situata ndryshoi ndjeshëm në shkurt, kur Tel Avivi mori informacion të rëndësishëm të inteligjencës dhe nisi projektin “Rising Lion”.

Operacionet u koordinuan mes inteligjencës ushtarake (Aman) dhe forcave ajrore, ndërkohë që Mossadi aktivizoi rrjetin e tij të spiunazhit për sabotime dhe vrasje të synuara.

Sipas burimeve izraelite, deri tani janë shkatërruar mbi 1,100 objektiva, përfshirë: 70 bateri kundërajrore; 200 pika lëshimi raketash; 100 oficerë të lartë të vrarë; 14 shkencëtarë iranianë të eliminuar.

Goditje të rënda janë raportuar në Natanz, Karaj, Isfahan dhe Teheran, ku dëmtime serioze janë shkaktuar në centrifugat bërthamore, gjë që është konfirmuar nga IAEA. Megjithatë, impianti i Fordow mbetet funksional, duke forcuar bindjen se vetëm bombat amerikane GBU-57 të lëshuara nga bombarduesit B-2 mund ta shkatërrojnë plotësisht.

Pavarësisht goditjeve, programi bërthamor iranian nuk konsiderohet i kompromentuar, ndërsa në qarqet e inteligjencës vazhdojnë debatet mbi afërsinë e Iranit me ndërtimin e një bombe atomike.

Irani ka lëshuar rreth 400 raketa nga arsenali i tij që përfshin rreth 2,000 njësi, duke shënjestruar zonat qendrore dhe veriore të Izraelit, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, selinë e inteligjencës dhe rafinerinë e Haifës. Të paktën 35 raketa kanë depërtuar në sistemin mbrojtës.

Gjithashtu, janë përdorur mbi 1,000 dronë kamikazë (Shahed 136, Arshad 2), shumica e të cilëve janë rrëzuar. Megjithatë, një dron Hermes 900 i Izraelit, me vlerë 5 milionë dollarë, është goditur.

Sipas analistëve, intensiteti i sulmeve iraniane ka qenë më i ulët se një vit më parë, çka lidhet si me problemet logjistike, ashtu edhe me strategjinë e “durimit heroik” të përmendur nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, që përjashton dorëzimin.

Një nga shqetësimet më të mëdha për Izraelin është mungesa e raketave interceptuese “Arrow” që ndalojnë kërcënimet në lartësi të mëdha. Mediat amerikane raportojnë se rezervat mund të shterojnë brenda 10 ditësh, nëse nuk ndërhyjnë furnizimet nga SHBA.

Sipas vëzhguesve të trafikut ajror, është vënë re një fluks i lartë avionësh transportues të Pentagonit, që mund të sinjalizojnë dorëzimin e ngarkesave urgjente ushtarake në Izrael.

Ndërsa viktimat mes ushtarëve dhe civilëve rriten, propaganda nga të dy palët vazhdon të ndërtojë narrativa të kundërta. Me një bilanc humanitar të rëndë dhe pa shenja qartësie për një rrugë diplomatike, rreziku për përshkallëzim rajonal mbetet i lartë.

Top Channel