Lufta në Lindjen e Mesme/ Izraeli godet reaktorin bërthamor! Irani hakmerret duke goditur spitalin izraelit, Netanyahu: Khamenei nuk është i paprekshëm

19/06/2025 19:54

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë shpërthyer në një konflikt të hapur, me sulme intensive nga të dyja palët.

Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore kundër objekteve strategjike iraniane, përfshirë reaktorin me ujë të rëndë në Arak dhe disa pozicione ushtarake e shkencore, si pjesë e një fushate të koordinuar për të goditur programin bërthamor të Teheranit. Mes objektivave thuhet se janë vrarë shkencëtarë të rangut të lartë dhe janë shkatërruar radarë dhe baza raketash.

Në kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar raketa drejt qyteteve izraelite, ndërsa një spital në Beer Sheva është goditur nga një prej tyre. Nga vendi i ngjarjes, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh i prerë: “Askush nuk është i paprekshëm. Të gjitha opsionet janë në tavolinë, përfshirë edhe Khamenei.”

Sipas Wall Street Journal, presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar një plan për sulme ndaj Iranit, përfshirë edhe objektivin më të mbrojtur, centralin bërthamor në Fordow, por po heziton të japë dritën jeshile për nisjen e operacionit, në pritje të qëndrimit të Iranit mbi programin e tij bërthamor. Raportimet e CBS News shtojnë se Trump është informuar mbi rreziqet dhe përfitimet e një sulmi dhe besohet se e sheh ndërhyrjen si “të pashmangshme”.

Ndërkohë, Reuters raporton se mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë nisur kontakte direkte përmes përfaqësuesit special Steve Witkoff, i cili është në komunikim të vazhdueshëm me ministrin e Jashtëm iranian, në përpjekje për një zgjidhje diplomatike.

Në një zhvillim paralel, autoritetet iraniane kanë arrestuar 24 persona nën akuzën e spiunazhit për Izraelin, ndërkohë që është ndaluar edhe reperi kritik Toomaj Salehi, i njohur për këngët e tij kundër regjimit. Fati i tij mbetet i panjohur. Aktivistët paralajmërojnë se autoritetet janë përgjegjëse për çdo pasojë ndaj jetës së tij.

Irani po konsideron gjithashtu mbylljen e ngushticës strategjike të Hormuzit, në shenjë hakmarrjeje për sulmet izraelite, një lëvizje që mund të tronditë tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Top Channel