
Nga Agron Gjekmarkaj
U pa që në Rinas se delegacionet parlamentare shqiptare ishin tejet të ngarkuara me mërira e zëte!
Ata u shfaqën gjithë turinj e hundë, në odën e pritjes së aeroportit të mbushur nga dora e Margeritit (ah Margeritnë e gjorë e zëvendësoi një zullap) vite më parë me xhubleta, tirqe, brandavekë e rroba arbëreshe që me zor ja hoqën nga shtati Mamices, e cila bashkë me Babon duan të bëjnë Arbërinë siç i ka hije, bahçe!
Si më frikacak dhe jo protagonist, duke parë tufanin që frynte, shkova i pari, thoja me vete “këmbët e lehta, faqja e bardhë” dhe u fsheha në kuzhinë, ku herë pas here lagia edhe fytin e tharë me ndonjë gjë e çoku cimbisja nga ku mund të shihja mesele!
Xha Fatmiri ishte veshur me rroba kombëtare labe: fustanellë, jelek dhe një dyfek lodër në krah; nga pas kishte me vete një orkestër popullore që u binte sazeve për sukseset që ka korrur komisioni i posaçëm! Ashtu në rropulli e sipër, u fut vrik në një kthinë, derisa balona u nis!
Evis Kushi, mbuluar kuq e zi, dukej si pasaporta europiane 2030, që befas shndërrohej në qilim fluturues!
Saimir Koreshi u ndal te pragu me një shalqi sa një babunë, ku e çau fët fët e po aq seriozisht ja dha të ngrënës, se ç’të hamë – sokëlliu – mbetet e jona!
Tao, po aq popullor, erdhi me dy hejbe të mbushura me bukë, djathë e mish qengji të zier; madje nja dy njolla yndyre i kishin mbetur në shpinë të xhaketës.
Bënte me dorë që kush të mundte të afrohej e të merrte, po Lavdrim Krashi ndalonte secilin: “Më mirë të uritur se bukë haram,” psherëtinte!
Të gjithë ngrinë kur krisma dëgjoheshin në rrethinat aty pranë! Ishte këshilltari i grupit të PD-së, Everest Dedaj, me dy pistoleta që shtinte në ajër: pau pau – si paralajmërues i qametit!
Një buzëqeshje triumfi nuk i shqitej!
Pra, po vinte Gaz Bardhi! Ai vetë u shfaq me hungërima, britma, klithma: “Ku janë, ku janë?!” thërriste kërcënueshëm! Shihja se si deputetët vraponin me shpejtësi drite për t’u fshehur!
Fat që Jorushi i Tabakeve, si nëpër balada, doli përpara me një dihame që të këpuste shpirtin, me një qarje të butë e madhështore, e i tha: “Pashë hatrin e Zotit, ndalu, se vetëm Eni Xake ka mbetur, se të tjerët ikën me vrap, i mori ushtria dhe po i çon në Zyrih!”
Oerdi mërmëriste me vete: “Tranzit gloria mundi, tranzit gloria mundi”! Aty për aty u ndal zëzona! Strasburgu na priste!
Aeroplani u nis me uturimë! Dëgjoheshin aty-këtu vetëm skërmitje dhëmbësh që rrafshoheshin nga meria! Zheni Bebi Gjergji shpërndante melhem, e aspirina!
Ina Zhupa lexonte një lajm se në Tiranë po festohej ditëlindja e Mbretit Karlo, dhe plot pezëm, Koreshi hodhi idenë: pse nuk festojmë vitet e Jorushit më mirë – e qajme per monë e madh, ka më kontribute dhe ka marrë mbi 20 mijë vota!
“Jo, jo,” tha Gazi, “duhet diçka më e peshuar, më institucionale – ndoshta ditëlindja e Mamices është më përbashkuese për katër vilajetet!”
Zbritëm ashtu si dreqër me dorën në çark! Lajmi që përhapte frikë kishte mbërritur para nesh!
Toni Gogu ishte larë, rruar e qethur për t’i çuar deri në fund vullnetin e Zotit!
Na priti i veshur si pastor, me librin e shenjtë nën sqetull e ujë të bekuar në dorë, e filloi me të pafetë e partisë së vet, dhe më pas me ne – besimtarët! Na qetësoi dhe kësisoj shpëtoi Europën nga një kataklizmo! Shënjtoret e nisin me gjëra njerzore!
Top Channel