Konflikti me Izraelin, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, viziton Stambollin

19/06/2025 12:02

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, do të jetë në Stamboll fundjavën e ardhshme, si pjesë e takimit të ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC).

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pritet të mbajë një fjalim në takim, të titulluar “Organizata e Bashkëpunimit Islamik në një Botë në Ndryshim”.

Në takimin, të kryesuar nga Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, pritet të marrin pjesë rreth 1,000 të ftuar nga 57 shtetet anëtare të Organizatës, si dhe organizata të lidhura me Organizatën, vende vëzhguese dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Sipas burimeve diplomatike turke, një seancë e posaçme mbi luftën Izrael-Iran do të mbahet si pjesë e takimit. Në fund të takimit, pritet miratimi i “Deklaratës së Stambollit” dhe projektvendimeve të përfshira në axhendën e OIC, kryesisht mbi Gazën dhe çështjen palestineze.

Kritika ndaj Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, kritikoi sot kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, dhe akuzoi agjencinë e OKB-së se është partnere në një “luftë të padrejtë agresive” të nisur nga Izraeli.

Në një postim në X, Baghaei iu përgjigj një interviste që shefi i IAEA-së dha për CNN, në të cilën Grossi tha se nuk kishte prova të përpjekjes sistematike të Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.

“Është tepër vonë, z. Grossi”, shkroi Baghaei, duke shtuar se rezoluta e IAEA-së që e gjeti Iranin në shkelje të detyrimeve të tij sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT) u përdor si pretekst që Izraeli të sulmonte Iranin. “Narrativat mashtruese kanë pasoja të tmerrshme, z. Grossi, dhe kërkojnë llogaridhënie. Ju tradhtuat regjimin e mospërhapjes; ju e bëtë IAEA-në partner në këtë luftë të padrejtë agresioni”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Top Channel