Plakja mund të duket si një proces i ngadaltë dhe gradual – por jo gjithmonë është kështu, zbulojnë studimet e fundit.

Në fakt, nëse një mëngjes zgjoheni, shikoni veten në pasqyrë dhe mendoni se plakja juaj është përshpejtuar papritur, mund të mos jeni duke imagjinuar gjëra.

Sipas një studimi të fundit mbi ndryshimet molekulare që lidhen me plakjen, njerëzit përjetojnë dy shpërthime të mëdha ndryshimesh, një në moshën mesatare 44 vjeç dhe tjetrin në moshën mesatare 60 vjeç.

“Ne nuk po ndryshojmë thjesht gradualisht me kalimin e kohës — ndodhin disa ndryshime vërtet dramatike”, shpjegoi gjenetisti Michael Snyder nga Universiteti i Stanfordit në gusht 2024, kur u botua studimi.

“Sipas të dhënave, mesi i të 40-ave është një periudhë e ndryshimeve të mëdha – ashtu si edhe fillimi i të 60-ave. Dhe kjo vlen pavarësisht se cilën klasë molekulash shqyrton,” thuhet në studim.

Plakja është një proces kompleks dhe lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të ndryshme.

Snyder dhe kolegët e tij studiuan biologjinë e plakjes për të kuptuar më mirë se çfarë ndryshimesh ndodhin dhe si mund të zbuten ose të trajtohen më mirë këto gjendje.

Për këtë qëllim, ata ndoqën një grup prej 108 të rriturish, të cilët dhanë mostra biologjike çdo disa muaj për disa vite.

Vëzhgimet treguan se për disa gjendje, si sëmundja e Alzheimerit dhe sëmundjet kardiovaskulare, rreziku nuk rritet në mënyrë të qëndrueshme me kalimin e kohës, por përshkallëzohet ndjeshëm pas një moshe të caktuar.

Kështu, studiuesit analizuan më thellësisht biomarkuesit e plakjes për të identifikuar ndryshime të mundshme përkatëse.

Duke përdorur mostrat, ata identifikuan lloje të ndryshme biomolekulash, përfshirë ARN, proteina, lipide dhe taksona nga mikrobioma e zorrëve, lëkurës, hundës dhe gojës – gjithsej 135,239 tipare biologjike.

Çdo pjesëmarrës dha mesatarisht 47 mostra gjatë një periudhe prej 626 ditësh, ndërsa një pjesëmarrës i vetëm dha deri në 367 mostra. Kjo gjeneroi mbi 246 miliardë pika të dhënash, të cilat studiuesit i analizuan për të identifikuar modele të ndryshimeve.

Studime të mëparshme kanë vërejtur ndryshime jolineare në bollëkun molekular që lidhen me plakjen te minjtë dhe njerëzit. Studimet mbi mizat e frutave, minjtë dhe peshqit zebra kanë konfirmuar gjithashtu një proces të vazhdueshëm dhe gradual plakjeje.

Megjithatë, Schneider dhe kolegët e tij vërejtën ndryshime shumë të qarta në bollëkun e shumë llojeve të ndryshme molekulash në trupin e njeriut në dy faza të veçanta.

Rreth 81% e të gjitha molekulave të studiuara treguan ndryshime të rëndësishme në një ose të dyja këto faza. Kulmi i parë ndodhi në mesin e të 40-ave dhe i dyti në fillim të të 60-ave, me profile të ndryshme për secilën fazë.

Në mesin e të 40-ave u vunë re ndryshime në molekulat që lidhen me metabolizmin e lipideve, kafeinës dhe alkoolit, si dhe me sëmundjet kardiovaskulare dhe funksionimin e lëkurës e muskujve.

Ndërsa në fillim të të 60-ave, ndryshimet përfshinin metabolizmin e karbohidrateve dhe kafeinës, sëmundjet kardiovaskulare, funksionin e lëkurës dhe muskujve, sistemin imunitar dhe funksionin e veshkave.

Kulmi i parë, në mesin e të 40-ave, është gjithashtu koha kur shumica e grave përjetojnë menopauzën ose perimenopauzën. Megjithatë, studiuesit e përjashtuan këtë si faktor kryesor, pasi edhe burrat përjetuan ndryshime të ngjashme molekulare në të njëjtën moshë.

“Kjo sugjeron se, edhe pse menopauza mund të kontribuojë në ndryshimet e vërejtura tek gratë, ka faktorë të tjerë më të rëndësishëm që ndikojnë në këto ndryshime, si tek burrat ashtu edhe tek gratë,” shpjegoi autorja kryesore, Xiaotao Shen, ish-studente në Stanford dhe aktualisht në Universitetin Teknologjik Nanyang në Singapor.

“Identifikimi dhe studimi i këtyre faktorëve duhet të jetë një përparësi për kërkimet e ardhshme.”

Studiuesit theksojnë se madhësia e mostrës ishte relativisht e vogël dhe përfshinte individë të moshës nga 25 deri në 70 vjeç.

Studimet e ardhshme pritet të thellohen më tej në këtë fenomen, duke e analizuar më hollësisht dhe në një grup më të gjerë pjesëmarrësish, për të kuptuar më mirë se si ndryshon trupi i njeriut me kalimin e kohës.

Top Channel