
Sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku, mbledhja e Komisionit të Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, është mbyllur pa një deklaratë të përbashkët mes palës opozitare dhe asaj të mazhorancës socialiste.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo shprehet se opozita ngriti shqetësimet për zgjedhjet dhe korrupsionin.
“Strasburg – përfundoi pa deklaratë të përbashkët mbledhja e Komisionit të Stabilizim-Asociimit!
Ngritëm shqetësimet për zgjedhjet, korrupsionin, mungesën e sundimit të ligjit dhe abuzimet me tenderat publikë. Shqiptarët kanë nevojë ta prekin integrimin në jetën e përditshme, jo vetëm në deklarata politike. Procesi nuk mund të ecë përpara pa zgjedhje të lira, demokraci funksionale dhe reforma të thella. Mbi të gjitha nuk mund të ecë pa u përfshirë opozita, shoqëria shqiptare dhe pa pasur një diskutim mbarëkombëtar! Nuk jemi këtu për të firmosur deklarata sa për sy e faqe. Jemi këtu për të kërkuar ndryshime reale për qytetarët!”-shkruan Tabaku.
Top Channel