“Është një ëndërr, do e rikthejmë kombëtaren në Botëror”/ Gattuso prezantohet si trajneri i ri i Italisë: Kam besim se do ia dalim

19/06/2025 12:50

Gennaro Gattuso ka nisur zyrtarisht aventurën e tij si trajner i ri i Kombëtares së Italisë, duke marrë vendin e Luciano Spallettit të shkarkuar pas rezultateve zhgënjyese.

Ish-mesfushori i njohur është vendosur menjëherë përballë një sfide të madhe: ta rikthejë Italinë në rrugën drejt Botërorit 2026, pasi humbja 3-0 ndaj Norvegjisë e ka bërë tepër të vështirë misionin kualifikues.

“Nuk mund të them ndryshe, është një ëndërr që bëhet realitet. Shpresoj të jem në lartësinë e detyrës”, u shpreh Gattuso në konferencën e parë për shtyp. “Objektivi është i qartë: të rikthejmë Italinë në Kupën e Botës, sepse është jetike për futbollin dhe për vendin tonë.”

“Nuk jam më thjesht zemër dhe grintë”

Gattuso nënvizoi se ka një filozofi të qartë loje, ndryshe nga ajo që përfaqësonte vetë si lojtar: “Tani e shoh futbollin ndryshe. Me grintë nuk qëndron dot 11 vite në pankinë. Më pëlqen të përditësohem, të flas për futboll. Një lojtar si unë dikur, kaotik taktikisht, sot nuk do ta aktivizoja.”

“Çelësi është grupi, jo moduli”

Për trajnerin e ri të Italisë, në këtë moment nuk janë të rëndësishme as taktikat e as formacionet: “Na duhet entuziazëm dhe ndjenjë familjeje. Duhet ta rikrijojmë frymën që na ka karakterizuar ndër vite. Kam besim të madh se do ia dalim. Kemi futbollistë me cilësi, disa prej tyre janë ndër më të mirët në botë në rolet e tyre.”

Alarm për mungesën e të rinjve italianë në Serie A

“Duhet të reflektojmë: këtë sezon vetëm 32% e lojtarëve në Serie A ishin italianë, pjesa tjetër të huaj. Është bërë një punë e mirë në moshat e reja, por pas U-19 lojtarët humbasin. Te Hajduk Split kam aktivizuar lojtarë të vitlindjes 2005, 2006 dhe 2007. Duhet t’u japim hapësirë të rinjve.”

“Kur më telefonuan Gravina dhe Buffon, nuk hezitova as një sekondë”

Gattuso konfirmoi se thirrja nga presidenti i Federatës, Gabriele Gravina, dhe Gianluigi Buffon ishte vendimtare: “Nuk hezitova. E di që kemi shumë për të punuar, por besoj se kemi gjithçka që na duhet për të shkuar në Botëror.”

Pa polemika: “Shpresoj t’i ndryshoj mendjen edhe tifozëve skeptikë”

Në fund, i pyetur për skepticizmin e presidentit të Senatit, Ignazio La Russa, i cili më herët ishte shprehur kundër emërimit të tij, Gattuso zgjodhi diplomacinë: “Nuk dua polemika. Shpresoj ta bind edhe atë përmes rezultateve.”

Top Channel