Asgjësohen 6 mijë bimë kanabis në Shkodër, procedohen kryetarë fshatrash dhe roje mjedisi

19/06/2025 11:36

Në Qarkun Shkodër janë asgjësuar 5,999 bimë dhe fidanë të dyshuar si kanabis, pas kontrolleve intensive në terren dhe monitorimit ajror me dronë.

Gjatë aksioneve u proceduan penalisht për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi dy roje mjedisi dhe pesë kryetarë fshatrash ku u gjetën bimët narkotike. Po ashtu, është shpallur në kërkim një shtetas, i dyshuar për kultivimin e 2,127 bimëve të konfiskuara më parë në fshatin Vigë-Mnelë.

Në njësitë administrative Pult, Shalë dhe Shosh u asgjësuan 688 bimë, ndërsa në Temal, Vau i Dejës u gjetën dhe shkatërruan 5,311 bimë dhe fidanë. Për këto raste janë nisur procedime ndaj disa kryetarëve fshatrash dhe rojave mjedisore.

Operacionet për kapjen e personave të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike vazhdojnë intensivisht në të gjithë rajonin, ndërsa autoritetet shprehin angazhimin e tyre të fortë në luftën kundër drogës.

Top Channel