Angli/ U dënua me 11 vite për trafik droge, Home Office betejë për t’i hequr nënshtetësinë britanike shqiptarit

19/06/2025 17:44

Një shqiptar i arrestuar për trafikim droge, i cili fotografoi veten i rrethuar nga 250 mijë paund cash, i është lejuar të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas The Telegraph të cilës i referohet Top Channel, Home Office (Ministria e Brendshme) dhe Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) po kërkojnë të esktradojnë Olsi Behelulin, 33 vjeç, i cili u dënua me 11 vite burg për rolin e tij në një rrjet trafikimi heroine.

Ata thonë se Beheluli, i cili erdhi në Mbretërinë e Bashkuar kur ishte 9 vjeç, siguroi shtetësinë britanike pasi pretendoi se nuk ishte i përfshirë në kriminalitet në formularin e tij të aplikimit për shtetësi.

Vetëm tetë muaj më vonë, ai u arrestua me 8 kilogramë heroinë, e cila kishte një vlerë prej 200,000 paundësh, gjatë rrugës për në një “shtëpi të fshehtë” në Neasden, ku u gjetën dokumente të falsifikuara dhe peshore.

Agjencia Kombëtare e Krimit gjeti një fotografi të tij të rrethuar nga 250 mijë paund cash në iPhone-in e tij pas kontrollet që bëri në veri-perëndim të Londrës në vitin 2015.

Ai u shpall fajtor për komplot për të furnizuar drogë të klasit A ​​në Gjykatën e Kurorës Blackfriars dhe u dënua me 11 vjet burg më 1 prill 2015.

Home Office dhe NCA argumentuan se vetëm një personi me një histori të gjatë kriminale do t’i besohej një ngarkesë kaq e madhe droge.

Një gjyqtar i gjykatës së nivelit më të ulët e hodhi poshtë më pas këtë argument me arsyetimin se nuk kishte prova mbikëqyrjeje ose dëshmitarësh për ta mbështetur atë. Ankesa e Behelulit kundër ekstradimit të tij u miratua.

Megjithatë, Home Office apeloi çështjen dhe siguroi një ridëgjim pasi një gjyqtar i gjykatës së lartë vendosi se mungesa e provave për të vërtetuar kriminalitetin e tij të mëparshëm nuk ishte e mjaftueshme për të tejkaluar argumentet e “logjikës së shëndoshë” të Sekretarit të Brendshëm.

Rasti i zbuluar në dokumentet e gjykatës, është shembulli më i fundit i zbuluar nga The Telegraph të cilës i referohet Top Channel, ku emigrantët e paligjshëm ose kriminelët e huaj të dënuar kanë qenë në gjendje të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar ose të shmangin ekstradimet e tyre.

Ministrat po propozojnë të rrisin pragun për ta bërë më të vështirë për gjyqtarët të japin të drejtën e qëndrimit bazuar në nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), i cili mbron të drejtën për një jetë familjare, dhe nenin 3, i cili mbron nga tortura dhe trajtimi ose ndëshkimi çnjerëzor ose degradues.

Babai i Behelulit kërkoi azil pasi familja mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar më 22 nëntor të vitit 2000. Kërkesat e tij u refuzuan, por në vitin 2006 atyre iu dha leje diskrecionare për të qëndruar, e cila më pas “në mënyrë konfuze, pothuajse njëkohësisht” u bë leje qëndrimi e pacaktuar, siç iu tha gjykatës. Nuk ka asgjë që të sugjerojë se babai i Behelulit ishte i përfshirë në ndonjë shkelje.

Tetë vjet më vonë, në prill 2014, Behelulit iu dha shtetësia britanike. Por tetë muaj pas kësaj, më 7 tetor 2014, ai u kap me heroinë me vlerë 200 mijë paund dhe u arrestua.

Home Office kërkoi ta ekstradonte atë me arsyetimin se kishte mashtruar zyrtarët kur pretendoi në kërkesën e tij për shtetësi se nuk kishte asgjë “që reflektonte negativisht në karakterin e tij”.

Zyrtarët argumentuan se vlera e drogës nënkuptonte se ai “duhet të kishte një rol mjaft të lartë në furnizimin me heroinë, pasi atij iu besuan më shumë se tetë kilogramë heroinë me pastërti të lartë me një vlerë prej më shumë se 200 mijë paundësh”.

Home Office tha se ishte “e pabesueshme” të pranohej se ai ishte i ri në tregtinë e drogës dhe se arrestimi i tij përfaqësonte herën e parë që ai ishte përfshirë në aktivitete të tilla.

“Është përtej logjikës të pranohet se atij do t’i besohej një ngarkesë e tillë droge nëse nuk do të ishte tashmë i përfshirë në furnizimin me Droga të Klasit A”, iu tha gjykatës.

Megjithatë, gjykata e shkallës së parë vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të arritur në një përfundim të tillë.

“Për shembull, nuk ka prova mbikëqyrjeje ose prova të tjera nga NCA dhe nuk ka prova opinioni nga një oficer policie, për shembull, për të mbështetur sugjerimin se vetëm një anëtari të lartë dhe të besuar të një bande të organizuar kriminale do t’i besohej një sasi e tillë droge.

Nuk kishte prova me bindje të mjaftueshme për të vërtetuar se apeluesi kishte qenë i përfshirë në kriminalitet në kohën kur ai tha se nuk kishte asgjë të kundërt për të deklaruar në lidhje me karakterin e tij”, vendosi tribunali.

Por gjykata e shkallës së parë i hodhi poshtë këto argumente dhe urdhëroi një ridëgjim. Ajo vendosi se mungesa e provave fizike nuk “përbënte një përgjigje të plotë dhe të pakundërshtueshme ndaj pikës së logjikës së shëndoshë të dhënë nga Sekretari i Shtetit”.

“Pavarësisht nëse kishte apo jo një deklaratë nga një oficer policie, dhe pavarësisht nëse kishte apo jo prova të mëtejshme nga NCA, kjo pikëpamje meritonte respekt dhe ishte e aftë të mbështeste qëndrimin e logjikës së shëndoshë së Sekretarit të Shtetit”, vendosi gjykata e shkallës së parë.

Top Channel