Në një kohë kur bota është përfshirë nga disa konflikte të armatosura, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndez tensionin me Kosovën, duke provokuar këtë të fundit.

Në një intervistë për televizionin shtetëror serb, Vuçiç tha se Beogradi do të fitojë ndaj Kosovës.

“Do të fitojmë edhe në çështjen e Kosovës. Gjërat po ndryshojnë ngadalë në botë. Dhe nuk do t’ju them se çfarë do të thotë kjo, por në fund Serbia do të fitojë. Dhe jam absolutisht i sigurt për këtë. Ndërsa gjërat po ndryshojnë ngadalë por me siguri në botë, jam i bindur se Serbia do të fitojë”, tha presidenti Vuçiç.

Ai e bëri këtë deklaratë, teksa komentonte mbi arrestimet dhe deportimet e serbëve dhe vendimet e qeverisë së Kosovës, duke thënë se nuk do të duhet shumë kohë që uji të rrjedhë poshtë Savës dhe Danubit.

Serbia vijon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës. Ka pasur përpjekje të vazhdueshme ndërkombëtare për të gjetur gjuhën e përbashkët mes dy vendeve, por deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

Zyrtarët e BE-së kanë ndërmjetësuar negociatat e krijuara për të normalizuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Marrëveshje të shumta janë arritur, por ato rrallë janë zbatuar në terren, ndonëse për Bashkimin Evropian normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet kushti kryesor në rrugëtimin e tyre evropian.

Top Channel