Vranë me thikë 19-vjeçarin Grei Bihuci, prokuroria kërkon 25 vite burg për Florian Mukën dhe 12 vite për të miturin

18/06/2025 10:00

Prokuroria pranë Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq Florian Muka dhe K. Muka për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’, të parashikuara nga nenet 78/1 e 25 dhe 279/2 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr. 382 të vitit 2025, rezultoi e provuar se, në datën 11.03.2024, rreth orës 11:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të qytetit të Fierit, gjatë një takimi për t’u sqaruar lidhur me një konflikt të ndodhur ditë më parë dhe të publikuar në rrjetet sociale, të pandehurit, të cilët kanë pasur me vete armë të ftohta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur viktimën, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi  Deklarimin fajtor të të pandehurit Florian Muka për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 të Kodit Penal dënimin e tij me 25 vjet burgim.

Si dhe deklarimin fajtor të të miturit në konflikt me ligjin K. Muka për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 dhe 51 të Kodit Penal dhe 97/2 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dënimin e tij me 12 vjet dhe 6 muaj burgim.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Si ndodhi ngjarja?

19-vjeçari u qëllua me thikë nga Florjan Muka 19 vjeç dhe K. Muka, 17 vjeç në qendër të Fierit, të cilët janë kushërinj të parë.

Dyshohet se sherri mes tyre nisi në rrjete sociale dhe më pas degradoi në përleshje fizike.

Shoku i viktimës Olti Serjanaj 20 vjeç, i cili ndërhyri për ta shpëtuar, mbeti i plagosur. Viktima studionte në degën TIK dhe pasditeve punonte kamarier në një lokal pranë vendit të ngjarjes.

Top Channel