
Deklarata e fundit e presidentit amerikan, Donald Trump, për Kosovën dhe Serbinë, duhet parë në kontekstin e një lideri që po përpiqet ta rikthejë vëmendjen e opinionit publik mbi rolin e tij si “negociator i shkëlqyer”, shprehet Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA.
Eksperti arsyeton se premtimet e kreut të Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk janë pasqyruar në realitet, pasi luftërat vazhdojnë me intensitet dhe aktorët kryesorë nuk tregojnë shenja gatishmërie për kompromis. “Nisur nga fakti që ai nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, mendoj se ka gjasa a kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore”, tha Kupchan në intervistën dhënë Radios Europa e Lirë.
“Mendoj se postimin e Trumpit duhet parë në kontekstin e një presidenti që ndien se pretendimet e tij se është negociator i shkëlqyer, po vihen në dyshim. Tani për tani, askush nuk është në pozicion për të bërë kompromise të vështira, por mendoj se në kohën e duhur, Trump mund të rikthehet për të negociuar një marrëveshje dhe për t’i nxitur Serbinë dhe Kosovën që të ecin përpara me marrëveshjen që ndërmjetësoi Bashkimi Europian”, shprehet Charles Kupchan, Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.
Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, mendon po ashtu se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, “mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste”. Ai i sugjeron një qasje më pragmatike, e cila në këndvështrimin e tij, do ta ndihmonte Kosovën t’i avanconte interesat e saj.
Top Channel