Dy iranianë akuzohen për komplot terrorist ndaj komunitetit hebre në Mançester, dyshohet se përdorën aplikacione të koduara për të siguruar pajisje shpërthyese Ka filluar prej mëngjesit seanca plenare në parlamentin grek për ngritjen e Komisionit paraprak sa i përket tragjedisë së përplasjeve të dy trenave në luginën e Tempit, aksidentit fatal ku humbën jetën 53 persona.
Siç raporton gazetari i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku, ky komision do të zhvillojë hetimet bazuar në 3 propozimet që kanë paraqitur partitë PASOK-KINAL, Demokracia e Re dhe një propozim i përbashkët i nënshkruar nga grupet parlamentare të disa partive të tjera, ku bie në sy për herë të parë akuza e tradhtisë ndaj atdheut, ndaj kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Propozimi i grupit parlamentar PASOK-KINAL, i paraqitur i pari në kohë, kërkon dërgimin në Komisionin Hetimor lidhur me “tragjedinë e Tempi-t”, për kryerjen e mundshme të veprës penale gjatë ushtrimit të detyrës, ish-Ministrat e Transportit dhe Infrastrukturës Konstantinos Ach. Karamanlis dhe Christos Spirtzis, si dhe 7 ish-Zëvendësministrave.
Propozimi i grupit parlamentar të partisë në fuqi, Demokracisë së Re, i paraqitur i dyti në kohë, kërkon ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar nëse Konstantinos Karamanlis i Achilleas ka kryer shkelje të detyrës (kundërvajtje) konkretisht në periudhën nga shtatori 2021 deri më 28/2/2023.
Propozimi i tretë, i paraqitur i fundit, që mbështet edhe propozimin e familjarëve të viktimave, është ai i nënshkruar nga grupet parlamentare të partive “Zgjidhja Greke“, “Fitorja ”, “Lundrimi i Lirisë“ dhe 6 deputetë të pavarur.
Ata kërkojnë dërgimin në komisionin hetimor të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, 3 ish-Ministrave të Infrastrukturës dhe Transportit ,7 ish-Zëvendësministrave, si dhe çdo personi tjetër përgjegjës, kryesor apo bashkëpunëtor, për kryerjen e disa veprave penale mes tyre tradhti e lartë ndaj atdheut, vrasje me dashje të mundshme të shumë personave , dëmtime të rënda dhe të rrezikshme trupore në seri me dashje, keqpërdorim i rëndë i besimit ndaj Shtetit, shkelje e detyrës, fshehje e krimeve, pengim i drejtësisë, mashtrim ndaj interesave financiare të Bashkimit Europian etj.
E konsideroj akuzën për “tradhti të lartë ndaj atdheut” një devijim nga parlamentarizmi dhe refuzoj të diskutoj përmbajtjen e tij. Qëllimi juaj është të rrëzoni qeverinë Mitsotakis- ka thënë në fjalën e tij kryeministri grek duke ripërsëritur se kjo akuzë nuk është gjë tjetër veçse rruga pa krye e një përpjekjeje për të sulmuar qeverinë dhe për ta çuar vendin në paqëndrueshmëri.
Në seancën plenare, janë vendosur 14 kuti votimi, një për secilin nga personat e propozuar për t’u dërguar në Komisionin Hetimor. Debati që ka filluar në orën 09:00 duhet të përfundojë jo më vonë se ora 21:00 e mbrëmjes. Menjëherë pas kësaj, do të fillojë procesi i votimit të fshehtë. Sipas parashikimeve, rezultati i votimit do të shpallet pas mesnate.
Top Channel