
Izraeli planifikoi sulme ndaj Iranit që në dhjetorin e kaluar, pasi dobësimi i Hezbollahut dhe rënia e regjimit të Asadit në Siri hapën një korridor ajror, sipas një raporti të New York Times .
Sipas raportit, kur kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu vizitoi Shtëpinë e Bardhë në shkurt, ai i paraqiti Trump të gjitha të dhënat që ai duhej të dinte rreth programit bërthamor të Iranit.
Raporti thotë se, në vend që të zgjidhte të merrte pjesë drejtpërdrejt në sulm ose të abstenonte plotësisht, Trump fillimisht miratoi një qëndrim të ndërmjetëm, duke i siguruar Izraelit “mbështetje nga komuniteti amerikan i inteligjencës për të kryer sulmin”, me detajet që mbeten të paqarta. Raporti përshkruan gjithashtu ndryshimin e qëndrimit të Trump ndaj Iranit në muajt dhe ditët e fundit.
“Kur u zgjua të premten në mëngjes, kanali i tij i preferuar televiziv, Fox News, po transmetonte imazhe pa ndërprerje që tregonin gjenialitetin ushtarak të Izraelit. Trump nuk mundi të rezistonte dhe mori vetë një pjesë të lavdisë”, shkroi gazeta.
Times arriti në përfundimin se, me Trumpin që tani nuk e përjashton përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në sulme, “ka pak shenja se konflikti do të përfundojë diplomatikisht së shpejti”.
Top Channel