
Pas kërcënimeve të Iranit se beteja sapo ka filluar, dhe ku agjencia shtetërore e lajmeve publikonte një video grafike, ku shihej një dorë që përkëdhelte një bombës të dyshuar si bërthamore që shoqërohej me mesazhin “ndoshta”, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk përjashton mundësinë e dërgimit të ushtrisë së tij në Izrael.
I pyetur nga gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë nëse SHBA do t’i bashkohet Izraelit, Presidenti Trump u përgjigj se “mund ta bëj ose jo”, duke shtuar se Teherani është “në telashe të mëdha dhe dëshiron të negociojë”.
“Ata do të kishin dashur të negocionin, por ndoshta është tepër vonë. Ata kanë probleme serioze tani. Ata na kanë kontaktuar. Ata kanë menduar të vijnë në Shtëpinë e Bardhë. Mua më duket vonë, edhe pse nuk është kurrë tepër vonë”, tha Trump.
Deklaratat e Donald Trump vijnë pak orë pasi lideri suprem i Iranit Khamenei paralajmëroi për “dëm të pariparueshëm”, nëse SHBA-të bashkohen me sulmet izraelite, duke refuzuar thirrjen e mëhershme të Presidentit amerikan për dorëzim pa kushte. Kësaj deklarate Trump iu përgjigj “Paç fat”.
Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, bëri thirrje për evakuimin urgjent të shtetasve amerikan, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara do të nisin drejt Lindjes së Mesme aeroplanmbajtësen e tretë. Mjeti luftarak amerikan USS Ford pritet të mbërrijë në Lindjen e Mesme javën e ardhshme. Nëse Presidenti Donald Trump jep urdhër që SHBA-të të përfshihen në konfliktin Izrael-Iran, cisternat mund të përdoren për të mbështetur misionet e avionëve luftarakë izraelitë kundër Iranit që kanë aftësinë e furnizimit me karburant në ajër.
Sulmet e reja vijuan edhe sot nga të dyja vendet, ku ushtrua izraelite njoftoi se ka shkatërruar selinë qendrore të sigurisë së brendshme të regjimit iranian, organin kryesor shtypës të diktatorit iranian”. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, i cili tha se “tornadoja vazhdon të godasë Teheranin”.
Përshkallëzimi i tensionit në Lindje ka vënë në lëvizje edhe liderët evropianë. Kryeministri britanik, Keir Starmer, thirri sot një mbledhje emergjente të komitetit Cobra, ndërsa Presidenti francez, Macron, ka mbledhur Këshillin e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Edhe lideri rus, Vladimir Putin, zhvilloi një bisedë telefonike me Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, duke i kërkuar një zgjidhje të shpejtë të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.
Top Channel