
Planet e mundshme për përfshirjen e SHBA-së në një sulm izraelit ndaj Iranit kanë ndezur një përplasje të fortë mes besnikëve të Presidentit Donald Trump.
Një prej kritikave më të zëshme vjen nga Tulsi Gabbard, Drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare nën administratën Trump. Gabbard ka deklaruar para Kongresit dhe në rrjetet sociale se, ndonëse Irani ka rritur ndjeshëm nivelin e uraniumit të pasuruar, nuk ka prova të mjaftueshme që të tregojnë për një armë bërthamore në zhvillim. Ajo paralajmëroi për rrezikun e një “shfarosjeje bërthamore” si pasojë e politikave të papërgjegjshme.
Deklaratat e saj shkaktuan reagimin e ashpër të vetë Trumpit.
Në Kongres, tensionet u përshkallëzuan kur republikani konservator Thomas Massie bashkëpunoi me demokratët për të paraqitur një projektligj që ndalon përfshirjen ushtarake pa miratim nga Kongresi. “Kjo nuk është lufta jonë,” shkroi ai në rrjetin X.
Edhe zëra të tjerë të rëndësishëm konservatorë si Tucker Carlson dhe Steve Bannon janë pozicionuar kundër përfshirjes së SHBA-së në një luftë të re.
Megjithatë, nuk mungojnë edhe ata që mbështesin një ndërhyrje. Senatorët Ted Cruz dhe Lindsey Graham i kanë bërë thirrje Trumpit që të veprojë kundër Iranit, duke theksuar kërcënimin që paraqet një Iran bërthamor për sigurinë globale.
Kjo ndarje ka krijuar edhe përplasje personale. Në një intervistë të tensionuar, Carlson dhe Cruz shkëmbyen akuza për injorancë në lidhje me Iranin.
Zëvendëspresidenti JD Vance kërkoi të ulë tensionet duke thënë se vendimi i fundit i takon presidentit, ndërsa shprehu besim se çfarëdo që të vendosë Trump, do të ketë qëllimin për të mbrojtur interesat kombëtare.
Top Channel