
Naomi Brookarsh kishte udhëtuar drejt Tel Aviv për të takuar vëllanë, kur ndërtesa ku ai jetonte, u godit nga një raketë iraniane të hënën në mëngjes.
“Ishte vërtet, vërtet e frikshme, por falë Zotit mbijetuam. Ishim në strehën kundër bombave, gjë që na shpëtoi jetën“, tregon shtetësja britanike për BBC-në.
Naomi tregon për zhurmën e fuqishme që i zgjoi nga gjumi në orët e para të mëngjesit, kur përjetuan momente tmerri.
“Papritmas pati një shpërthim masiv, zhurma më e madhe që kam dëgjuar ndonjëherë, dhe ishte sikur e gjithë dhoma po dridhej, ndienim trupat tanë duke u dridhur”, rrëfeu e reja.
Vetëm pasi dolën nga streha, ata panë dëmet. Çatia ishte shembur dhe dritaret ishin thyer. Ndërsa po largoheshin nga ndërtesa, ata panë zjarr, tym dhe ambulanca: “Ishte si një skenë filmi, ishte si një apokalips”, thotë ajo.
Top Channel