Inzaghi nuk është Mourinho: Marrëveshja me arabët para finales së Champions Leage. Arsyet pse Interi humbi me 5 gola ndaj PSG

18/06/2025 07:12

Sa shumë u shpërqendruan lojtarët e Interit? Dhe a e mbajti trajneri fokusin? Në vitin 2010, gjërat shkuan ndryshe…

Lautaro Martinez, ndërsa përpiqet të kthejë faqe dhe të gjejë stimuj të rinj nën diellin amerikan, përsërit vazhdimisht se ende nuk arrin të kuptojë se si ndodhi një disfatë si ajo që përjetoi në finalen e Champions League. Është e qartë se një humbje e tillë ka shumë arsye – nga aspekti taktik te gjendja fizike – dhe mes tyre nuk mund të jetë befas paaftësia e një skuadre që kishte mundur Bayern-in dhe Barcelonën. Por një pjesë e këtyre arsyeve mund të gjendet në fjalët e administratorit të deleguar të Al-Hilal, Esteve Calzada, i cili në një intervistë për BBC-në, tregoi për “punën e gjatë” që çoi në marrëveshjen me Simone Inzaghin para, dhe nënvizon “para”, finales me PSG-në.

“Vendimi ishte marrë, por nuk kishte nënshkrim sepse, për respekt, ai na kërkoi të prisnim,” zbuloi drejtuesi i klubit saudit. Tani, siç e dinë të gjithë ata që janë përballur me dilemat e ndryshimeve të mëdha në jetë, ditët e një vendimi të tillë janë plot me dyshime, pendesa, vlerësime të lodhshme të të mirave dhe të këqijave, biseda me familjarët, e ndoshta ndonjë natë pa gjumë. A është kjo gjendja më e përshtatshme shpirtërore për t’u përgatitur për një finale të Champions-it (dhe ndoshta edhe për javët para saj, duke qenë se u fol për një “punë të gjatë” nga Calzada)? Kjo është të paktën e diskutueshme. Dhe nga këtu lindin një sërë pyetjesh të tjera: A e dinte skuadra? A ishte informuar klubi? Sepse, siç e dinë ata që kanë konsideruar të ndërronin punë, mënyra e komunikimit të ndryshimit duhet menaxhuar me shumë kujdes: i pari që duhet informuar, nga lojaliteti dhe korrektësia, është shefi yt.

E megjithatë, Beppe Marotta paraqitet në takim me Inzaghin me një propozim rinovimi në dorë, pa e ditur se trajneri i tij kishte arritur tashmë një marrëveshje me arabët. Dhe videoja e njoftimit nga Al-Hilal mbërrin vetëm pak orë më vonë. Kjo shpjegon zhgënjimin dhe sikletin që doli dje në sipërfaqe brenda Interit.

Por, përtej mënyrës se si u bë, të vijmë te thelbi: Sa shumë dhe çfarë dinin lojtarët? Sa u shpërqendruan nga mendime të jashtme në ditët më të rëndësishme të karrierës së tyre? Dhe më tej: A është e vërtetë që edhe Bastoni e Barella kishin marrë oferta shumë-milionëshe nga Arabia? Pyetje që me shumë gjasë do të mbeten pa përgjigje. Këtu nuk ka moralizime, nuk po thuhet që Inzaghi s’duhej ta dëgjonte apo ta pranonte një ofertë kaq joshëse në aspektin ekonomik. Ajo që vihet në dyshim është mënyra si ai e menaxhoi situatën.

Në vitin 2010, José Mourinho ia doli në mënyrë perfekte: me marrëveshjen me Real Madridin në xhep (që e kishte komunikuar tashmë te Massimo Moratti), arriti ta mbrojë grupin, madje e përdori atë rrethanë për ta bashkuar edhe më shumë skuadrën, duke i bindur të gjithë se kishin ende një fund të lumtur për të shkruar së bashku. Përfundimi ishte një trofe i ngritur dhe një pamje që ka mbetur në kujtesën e të gjithëve: përqafimi me lot i interistit më të zjarrtë, Marco Materazzi, me Mourinhon që ishte gati të bënte të paimagjinueshmen, të mos hipte në autobusin e skuadrës, por të largohej në makinën e Florentino Perez.

Që e njëjta gjë nuk i doli Inzaghit, është tashmë e qartë: sërish, arsyet për të cilat ajo Inter zbriti në fushën e Mynihut kaq bosh shpirtërisht janë të shumta, por është e vështirë të thuash se nuk ishte një grup i çoroditur – me siguri gjithçka përveçse i bashkuar.

Ne jemi në majat e futbollit botëror: të gjithë trajnerët – aq më shumë sot, të ndihmuar nga teknologjia dhe stafet super-specializuara – janë (disa më shumë, disa më pak) të aftë të lexojnë ndeshjet dhe të vendosin si të rreshtojnë skuadrën. Ajo që shpesh bën diferencën është personaliteti, aftësia për të menaxhuar grupin dhe për të kuptuar psikologjinë e tij. Dhe ndoshta kjo është pikërisht ajo që ndodhi në këtë rast.

Top Channel