
Teksa energjitë e strukturave ligj-zbatuese ishin përqendruar në Lezhë, në Tiranë ndodh një sulm edhe më tronditës. 4 persona që udhëtonin në një mjet luksoz, dy prej të cilëve të mitur, ranë në pritë nën një breshëri armësh.
“Ato kanë shpëtuar se i ka ndihmuar Zoti, edhe plumbat nuk kanë prekur organet jetësore të tyre, dhe ka qenë ndërhyrja e shpejtë e familjarëve që kanë çuar në spital, kanë ndërhyrë mjekët pastaj në spitalin ushtarak e më tej në Romë”- u shpreh avokati, Alban Qafa
“Në atë rast ishte fati i tyre që shpëtuan të miturit dhe nuk pati humbje jete, sepse ajo do kishte më tepër fatalitet njerëzor dhe është situatë tjetër pjesa e procedurës” u shpreh avokati, Ermal Hamataj.
Të plagosur në atë atentat mbetën shoferi 34-vjeçar Arens Stafa, Kian Mullaj 19-vjeç, dy vëllezërit Marko Demiraj 17-vjeç dhe vogëlushi 11-vjeçar Dior Demiraj. Dy vëllezërit e mitur ishin në gjendje kritike. Ata shpëtuan mrekullisht edhe falë transportimit të shpejtë në spital dhe ndihmës mjekësore në Itali.
“Për shkak të ligjit apo për shkak të procedurës jemi përpara një vrasjeje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, nuk ka çfarë ti shtosh më shumë në rastin konkret”- u shpreh avokati, Ermal Hamataj.
“Të qëllosh mbi një fëmijë 11-17 vjeç, është si të vrasës fëmijët dhe është përtej natyrës njerzore me vra fëmijë. Motivi që i ka çuar, duhet të jetë një motiv shumë i rëndë, pasi edhe hakmarrja ka qenë tepër brutale, duke qëlluar mbi fëmijë” u shpreh avokati, Alban Qafa.
Nga mënyra e organizimit të këtij atentati hetuesit kanë dalë në përfundim se çdo gjë ishte e mirë-organizuar. Nga të dhënat e deritanishme hetuesit kanë dal në përfundim, se në atentatin e 17 prillit, ku u plagosën të miturit kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Dy që lëviznin me motor, dhe një tjetër që i ka ndihmuar të largohen.
Referuar të dhënave nga këqyrja e kamerave të sigurisë motomojeti me dy autorët që qëlluan Benz-in, luksoz ka ardhur nga Arbana. Ata janë pozicionuar pranë daljes së Unazës së Madhe në Shkozë dhe kanë pritur aty për disa minuta. Në momentin që kanë pikasur mjetin tip “G-Class”, kanë hapur zjarr me breshëri.
“Nga informacionet që qarkulluan ato ditë, pista e parë ishte ajo e ngatërrimit të një objektivi, por kur shikon detaje të tjera të vendit të ngjarjes, kur ti ke aty 50-60 plumba, bën të dyshosh që nuk kemi të bëjmë me një ngatërrim objektivi”-u shpreh gazetari Xhevair Zhabina.
“Autorët që kanë kryer ngjarjen ndaj të miturve, shoferit të familjes së tyre dhe shokut të tyre, në mercedezin G Class, është merecedezi që lëvizte familja Demiri pronari i Pelican Security, kanë qenë persona që i kanë ruajtur që i kanë vëzhguar ato”- u shpreh avokati Alban Qafa.
Grupi hetimor, i tha Inside Story, se nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë është ndërtuar një pjesë e itinerarit të motorit të autorëve, i cili është gjetur i shkrumbuar në fshatin Fikas të Mulletit. Në laboratorin e policisë shkencore janë edhe disa gjurmë ADN-je të përftuara në vendin ku autorët prisnin shenjestrën e tyre.
“Në këto raste me kryerjen e krimit, edhe më pas me djegien e automjetit dhe të armëve që janë përdorur bëhet edhe asgjësimi i provave të mundshme. Dhe pikërisht kjo ndodh e menjëhershme, është e çastit, pak minuta ndan kryerjen e veprës nga prishja e provave” u shpreh avokatja, Dea Toçi
“Nga komunikimet që kam pasur takimet që kanë pasur më është thënë që ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por megjithatë është një hetim paraprak, mund të gjendet ndonjë lidhje e mëvonshme” u shpreh gazetari, Xhevari Zhabina.
Për atentatin e Lundrës, fillimisht, u aludua se mund të kishte lidhje me vrasjen e Gjovalin Prendit në Lezhë. Një ndër dyshimet ishte për ngatërrim shënjestre.
“Nuk mund policia kurrsesi, të ketë informacione në kohë reale, që tani ndodhi ngjarja dhe pas pak policia thotë që shiko që është bërë ngatërrim i shenjestër ose kjo ngjarje ka lidhje me një tjetër” u shpreh avokati, Ermal Hamataj.
“Mund të jenë ngatërruar fëmijët me babanë e tyre, ose xhaxhanë e tyre, por kryesisht mund të jetë babai i tyre, një pistë është kjo, por objektivi ka qenë i saktë familjes Demiri, arsyet duhet të kenë qenë prindërit e dy fëmijëve që mbetën të plagosur” u shpreh Alban Qafa, avokat.
Dyshimi nisi të marrë formë nga një detaj që në fillim mund të dukej i rastësishëm: automjeti që u qëllua ishte identik, me një makinë që përdorej nga bashkëshortja e Roan Brahimit, djali i viktimës në Lezhë, i ekzekutuar në Athinë një vit më herët. Po ashtu, edhe target kishin ngjashmëri. Të dyja familjet jetonin në të njëjtën lagje, në zona që mbivendosen në itineraret e përditshme.
“Rasti konkret është bërë një rrjedhje informacioni nga ana organeve të policisë, duke hedhur hipotezën se mund të jetë ngatërruar me bashkëshorten e Sidorel Prendit, por zonja në fjalë përdorte audi nuk përdorte G-Clas”-u shpreh Alban Qafa, avokat.
“Në rastin konkret policia ka gabuar, a ka gabuar me qëllim, apo ka gabuar se ka dashur dikush tjetër të gabojë këtë nuk mund ta them dot”- u shpreh avokati, Ermal Hamataj.
Hetuesit që po punojnë në këtë dosje sensitive, për momentin kanë rrëzuar pistën që i lidh të dyja ngjarjet. Por, kjo nuk hedh poshtë ngatërrimin e shënjestrës.
“Mund të ketë një ngatërresë, pasi një sasi e konsiderueshme e plumbave është derdhur në sediljen e mbrapme, ky është edhe shkaku që shoferi ka arritur të vazhdojë të udhëtojë me makinë, pra të ketë plagë jo vdekjeprurëse jo plagë të rënda që ta linin në vend që ti hiqnin aftësinë për të drejtuar mjetin’ u shpreh avokati, Alban Qafa.
Edhe dëshmia e bashkëshortes së Rohan Brahimit ka ndihmuar në këtë drejtim. Ajo është marrë në pyetje nga hetuesit dhe ka deklaruar se nuk ka ndjerë asnjëherë rrezik.
Top Channel