I mori një shtetasi 3 mijë euro për favorizim në gjykatë, SPAK dërgon për gjykim çështjen e ish-efektivit dhe tre të tjerëve

18/06/2025 12:11

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar dosjen e katër personave, të akuzuar për korrupsion pasiv ndaj gjyqtarëve, me qëllim ndikimin në vendimin për autorin e një të plagosuri, ngjarje e ndodhur në Dibër.

Konkretisht:
Shuip Cami, i akuzuar për veprën penale, “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”.
Flamur Kurti, i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”
Fluturim Bajrami, i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”
Aldo Puca, i akuzuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”

Ky procedim ka objekt hetimi/akuze veprimet e të këtyre personave në lidhje me plagosjen ndaj shtetasit Adrian Shahi, për një ngjarjen kriminale, e cila daton më 9.01.2020.

 

Në këtë ditë, rreth orës 13:15, në qytetin e Peshkopisë, shtetasi Adrian Shahi ka goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, bashkëfshatarin e tij, Bukurosh Zagradi.

Për këtë ngjarje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Dibër ka regjistruar procedimin penal nr.09, datë 09.01.2020 për veprën penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, e parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Adrian Shahi. Në fazën e hetimeve paraprake të këtij procedimi, veprimet hetimore janë kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër, të pandehurit Shuip Cami dhe Aldo Puca.

Nga analiza e akteve dhe provave të administruara gjatë hetimeve të kryera për procedimin penal nr. 178 viti 2022, rezulton e provuar se i pandehuri, Shuip Cami, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë, Dibër (njëkohësisht oficeri që ka kryer veprimet e para dhe ka referuar cështjen penale në Prokurori), i ka kërkuar dhe marrë të pandehurit, Flamur Kurti (i njohur i shtetasit Adrian Shahi) shumën monetare prej 3,000 (tre mijë) euro në këmbim të premtimit të dhënë për favorizimin e pozitës procedurale të shtetasit, Adrian Shahi në çështjen penale në ngarkim të këtij të fundit, konkretisht procedimit penal nr.9/2020 të Prokurorisë, Dibër.

Për të pandehurin, Fluturim Bajrami (lidhje krushqie e shtetasit Adrian Shahi) rezulton e provuar se i ka dhënë të ndjerit, Qemal Vranezi, në cilësinë e Specialistit të Policisë, SPZ pranë Komisariatit të Policisë, Dibër, shumën prej 2000 eurosh në mënyrë, që të bëhej i mundur pajtimi mes Adrian Shahut dhe Bukurosh Zagradit, duke u favorizuar në këtë mënyrë autorin e ngjarjes.

Për të pandehurin, Aldo Puca, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Dibër, njëkohësisht i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit, Adrian Shahi si edhe me ndjekjen e përgjimeve të komunikimeve dhe duke qenë në dijeni të komunikimeve telefonike dhe transkiptimeve të tyre, me përmbajtje korruptive, ka manifestuar sjellje të kundërligjshme dhe jo në përmbushje të detyrës së tij ligjore si; ndërprerja e përgjimit të komunikimeve te shtetasit, Adrian Shahi; mosreferimin e komunikimeve me përmbajtje korruptive në Prokurorinë kompetente, por vetëm dy vite më vonë dhe jo me iniciativën e tij në përmbushje të detyrës së tij ligjore por vetëm pasi viktima e veprës penale, Bukurosh Zagradi ka shprehur pakënaqësi për këtë fakt të kundërligjshëm në Gjykatën e Dibrës; mosreferimi i të gjitha komunikimeve me përmbajtje korruptive si dhe mosidentifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse kishte komunikime të qarta, për këtë fakt të kundërligjshëm, veprime këto të kryera nga i pandehuri me qëllim favorizimin e autorin e ngjarjes, Adrian Shahi, (me ndërprerjen e përgjimit ka mundur t’i shmanget drejtësisë për më shumë se një vit në arrati) si edhe shmangien nga përgjegjësia penale të oficerit të policisë gjyqësore, të pandehurit, Shuip Cami që përmendej qartazi në këto komunikime me përmbajtje korruptive.

Top Channel