Federata Angleze akuzon zyrtarisht për doping lojtarin që dështoi te Chelsea, ja sa vite rrezikon të përjashtohet nga fushat e futbollit

18/06/2025 21:00

Mykhailo Mudryk është zyrtarisht akuzuar nga Federata Angleze e Futbollit (FA) për shkelje të rregullave antidoping, duke përballur mundësinë e një pezullimi deri në katër vite nga futbolli profesionist.

Sipas asaj që raporton The Telegraph, pas analizës së mostrës B që konfirmoi praninë e substancës së ndaluar meldonium, FA ka vendosur të ngrejë akuza formale ndaj sulmuesit ukrainas 24-vjeçar. Mudryk ishte pezulluar në mënyrë të përkohshme që nga dhjetori i kaluar, pasi doli pozitiv në një test të kryer në gusht 2024.

Një zëdhënës i FA deklaroi: “Mund të konfirmojmë që Mykhailo Mudryk është akuzuar për shkelje të Rregulloreve Antidoping, në përputhje me nenet 3 dhe 4 të Rregullores së FA për Antidoping. Duke qenë se rasti është ende nën hetim, nuk mund të komentojmë më tej për momentin.”

Vetë Mudryk ka mohuar çdo shkelje të qëllimshme, duke u shprehur në rrjetet sociale në dhjetor: “Ky rezultat më ka befasuar plotësisht, sepse nuk kam përdorur kurrë me vetëdije ndonjë substancë të ndaluar. Po bashkëpunoj me ekipin tim për të kuptuar se si kjo mund të ketë ndodhur. E di që nuk kam bërë asgjë të gabuar dhe mbetem me shpresë se do të kthehem së shpejti në fushë.”

Mudryk po përfaqësohet nga Morgan Sports Law, e njëjta firmë që përfaqësoi Paul Pogba gjatë çështjes së tij të dopingut – një rast ku dënimi u ul nga katër në vetëm 18 muaj pas një apelimi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Ndërkohë, situata e Mudryk te Chelsea mbetet e pasigurt. Ai nuk ka më një numër fanelle, pasi numri 10 i është dhënë Cole Palmer, ndërsa gjatë sezonit 2024-25 luajti vetëm shtatë ndeshje në Premier League. Megjithatë, në Conference League realizoi 3 gola në 6 paraqitje.

Mudryk ndodhej në Poloni gjatë finales së Conference League ndaj Real Betis, por sipas SunSport, nuk iu bashkua festimeve dhe nuk mori medalje.

Top Channel