
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po flet jashtë Shtëpisë së Bardhë për gazetarët, të cilët nuk i kursyen pyetjen nëse ‘SHBA do të bashkohet me Izraelin, kundër Iranit’.
“Nuk mund ta them këtë,” tha ai. “Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Askush nuk e di se çfarë dua të bëj. Por mund të them këtë: Irani ka shumë probleme dhe dëshiron të negociojë.”
Pas kësaj deklarate, Trump përsëriti pohimin e tij, të bërë disa herë ditët e fundit, se Irani duhet të kishte qenë më i gatshëm të negocionte përpara se Izraeli të sulmonte.
Mirëpo, udhëheqësi suprem i Iranit e paralajmëroi Trumpin për “dëm të pariparueshëm” nëse SHBA-të bashkohen me sulmet izraelite.
Khamenei, i cili është parë vetëm një herë prej se filluan sulmet javën e kaluar, i bëri këto komente pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërkoi nga Irani të “dorëzohet pakushte” dhe e paralajmëroi Khamenein se SHBA-ja e di ku ndodhet ai, por nuk ka plane ta vrasë, “tani për tani”.
Trump fillimisht u distancua nga sulmi i papritur i Izraelit të premten, i cili e shkaktoi konfliktin, por ditët e fundit ka lënë të kuptohet se mund të ketë përfshirje më të madhe amerikane, duke thënë se dëshiron “diçka shumë më të madhe” sesa thjesht një armëpushim.
Khamenei i hodhi poshtë deklaratat “kërcënuese dhe absurde” të Trumpit.
“Njerëzit e mençur që e njohin Iranin, popullin e tij dhe historinë e tij, kurrë nuk i flasin këtij kombi me gjuhën e kërcënimit, sepse kombi iranian nuk është ai që dorëzohet”, tha Khamenei.
“Amerikanët duhet ta dinë se çdo përfshirje ushtarake nga SHBA-ja do të shkaktojë pa dyshim dëme të pariparueshme për ta”, shtoi ai.
Top Channel