
I penduari i drejtësisë, Erion Alibej vazhdon të dëshmojë në gjykatën e posaçme për vrasje të bujshme.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Alibej ka rrëfyer lidhur me ekzekutimin e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, si një nga ekzekutimet më të bujshme në Elbasan.
Alibej thotë se së bashku me Nuredin Dumanin, Çelën e kanë konsideruar si ‘shënjestër të thjeshtë’. Ai tregon se kush ua siguroi makinën, si e dogjën dhe si u bë pagesa.
Alibej: Pas vrasjes së Kapllanit komunikova me Nuredinin për Bujarin. Ishte shënjestër e thjeshtë. Pas ekzekutimit të Kapllanit, të nesërmen çunat e Fushë-Krujës, sollën një makinë EClass për punë, për ekzekutim. Në fillim makina ndenji tek një lokal tek kryëzimi i Cerriku. Ndërsa çunat e Fusha Krujës, Enver Diva dhe Besmir Xhixha, erdhën me një “Renault” të bardhë.
Në lidhje me lokalin ku u ekzekutua kishim informacion shumë kohë më parë. Pasi u caktua mëngjesi, për ekzekutim tek kafja, në fillim, e pritën tek shtëpia. Një komshi i shtëpisë afër i pa çunat me maska dhe për këtë u larguan. Tek kafja në fillim kanë qëlluar çunat e Fushë Krujës, më pas ka qëlluar dhe Nuredini.
Pasi ka ndodhur, Nuredini më ka njoftuar “mbaroi Bujari”.
Makina “renault” është djegur 8 km më larg. Ndërsa çunat e Fushë Krujës kanë ikur në Fushë Krujë. Unë ndërkohë kisha edhe radiot e policisë.
Mua më telefonoi një oficer, Agim Lleshi, me të cilin kisha kontakt. Më tha, që po shkonin në vendngjarje, se ishte vrarë vëllai i Talos.
Alibej: Kam dërguar 60 a 70 mijë euro tek një karburant në Vore. Nuk mbaj mend aty i morën cunat e Fushë Krujës, apo Nuredini. Të nesërmen, e pashë nga kamerat që po vinte një autokolonë policie. E dija që ishin për arrestim. Nuk kam bërë rezistencë. Kam plotësuar ato formularët. Më arrestuan e që nga ajo ditë jam këtu.
Xhuliano Hoxha: Unë nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e Bujar Çelës. Unë kam qenë në burg kur u vra Bujar Çela. Këtu nuk po bëhet gjyq.
Alibej: Çunat e Fushë Krujës nuk i kisha parë asnjë herë. Verem kur u vra Kapllani, ne e kemi marrë vesh të parët. Klevis Kapllani punonte si shofer me rrogë mujore i Nuredinit, që ai të mos përdorte taksi. Ishte një Audi A6, model i vjetër. Çunat e Fushë Krujës e kanë gjetur të ekzekutuar.
Si fytyra, çunat e Fushë Krujës nuk i kam parë. Në ‘sky’ kisha kontakte me ta. Biseda të shkurtra. I kam pyetur ndonjëherë për Nuredinin.
Top Channel