“Nuk e kontaktova Iranin për bisedime paqeje”, Trump: Duhet të kishin pranuar marrëveshjen që kishin ne tryezë

17/06/2025 12:17

Presidenti amerikan, Donald Trump mohoi kategorikisht se ai kishte kontaktuar Iranin për të filluar bisedimet e paqes.

“Nuk i jam drejtuar Iranit për “Bisedime Paqeje” në asnjë mënyrë apo formë. Ky është thjesht një lajm i FABRIKUAR dhe i RREME! Nëse ata duan të flasin, ata e dinë si të më kontaktojnë. Ata duhet ta kishin pranuar marrëveshjen që ishte në tryezë. Do të kishte shpëtuar shumë jetë!!!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Trump tha në bordin e Air Force One se më mirë se një armëpushim do të ishte “një fund i konfliktit, jo një armëpushim. Një fund”.

Trump e kritikoi ashpër presidentin Francez, Emmanuel Macron ndërsa po largohej nga Kanadaja, duke thënë se homologu i tij gabimisht sugjeroi se po kthehej në Uashington për të punuar për një “armëpushim”.

“Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kërkonte publicitet, gabimisht tha se unë u largova nga Samiti i G7-ës në Kanada për t’u kthyer në Uashington për të punuar për një ‘armëpushim’ midis Izraelit dhe Iranit. Gabim!”, shkroi Trump në Truth Social.

“Ai nuk e ka idenë pse jam duke shkuar në Uashington, por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me një Armëpushim”, vazhdoi ai.

“Shumë më shumë se kaq. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanuel gjithmonë gabon. Qëndroni në kontakt!”, shkroi Trump.

Top Channel