
Situata në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet, teksa Izraeli synon të dobësojë rëndë Republikën Islamike të Iranit.
Një valë sulmesh masive nga Izraeli goditi Teheranin, duke detyruar banorët të evakuhohen. Në kryeqytet pati shpërthime të fuqishme dhe sulm ndaj selisë së televizionit shtetëror, me viktima të shumta.
Qëllimi i sulmeve është goditja e figurave kryesore politike dhe ushtarake, përfshirë edhe liderin suprem ayatollah Ali Khamenei. Ushtria izraelite (IDF) njoftoi eliminimin e shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm, Ali Shamdani, i emëruar vetëm katër ditë më parë.
Në total janë shkatërruar mbi 120 raketa iraniane, që sipas Izraelit përbëjnë rreth një të tretën e arsenaleve të tyre të disponueshme. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë-kamikazë dhe raketa, kryesisht ndaj zonave qendrore dhe veriore të Izraelit.
Mbrojtja izraelite ka një efektivitet prej rreth 80%, por disa sulme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, përfshirë një rafineri strategjike në Haifa.
Forcat e Gardës Revolucionare Islame të Iranit, pavarësisht humbjeve në radhët e tyre, paralajmërojnë taktika të reja dhe “surpriza” në ditët në vijim. Ata po ashtu forcojnë sigurinë kundër spiunazhit, duke kryer arrestime dhe ekzekutime të personave të dyshuar për lidhje me Izraelin.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur prezencën ushtarake në rajon. Aeroplanmbajtësja amerikan Nimitz është rrugës për t’iu bashkuar grupit të anijeve që operojnë aty, duke u shoqëruar nga 28 avionë cisternë të transferuar në Evropë, të gatshëm për operacione në Lindjen e Mesme.
SHBA-ja ka paralajmëruar Iranin për negociata, ndërsa kërcënon me përfshirje direkte ushtarake nëse situata përshkallëzohet më tej, përfshirë përdorimin e bombave të avancuara për shkatërrimin e bunkerëve.
Top Channel