
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi të dielën, operacione të reja kundër emigrantëve të paligjshëm në qendrat e mëdha urbane, si pjesë e “programit më të madh të deportimit masiv në histori” .
“Ne duhet të zgjerojmë përpjekjet për të deportuar emigrantë të paligjshëm në qytetet e mëdha amerikane si Los Angeles, Chicago dhe New York, ku jetojnë miliona” prej tyre, tha kreu republikan i shtetit nëpërmjet Truth Social.
“Këto qytete, dhe të tjera, janë bërthama qendrore e pushtetit Demokratik,” vazhdoi ai.
Z. Trump e ka bërë deportimin e emigrantëve të paligjshëm një përparësi të mandatit të tij të dytë – gjatë fushatës zgjedhore ai premtoi t’i jepte fund “pushtimit” të supozuar të “kriminelëve” të huaj në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, përpjekjet e tij për të luftuar imigracionin e paligjshëm kanë synuar veçanërisht emigrantët e Amerikës Latine, të cilët janë absolutisht thelbësorë në disa sektorë.
Bastisjet e përsëritura nga agjentët e ICE-së në Los Angeles kanë shkaktuar protesta, disa prej të cilave janë bërë të dhunshme. Presidenti amerikan u përgjigj duke urdhëruar vendosjen e 4,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave, duke sfiduar kundërshtimin e guvernatorit të Kalifornisë dhe kryetarit të bashkisë së qytetit.
Të shtunën, ndërsa Donald Trump ndiqte një paradë ushtarake në Uashington, qindra mijëra qytetarë kundër politikave të tij dolën në rrugë nën sloganin e përgjithshëm “Jo Mbretër”, duke denoncuar atë që ata e karakterizojnë si devijime diktatoriale nga kreu i shtetit.
Në artikullin e tij në Truth Social, presidenti republikan theksoi se “çdo ditë, burrat dhe gratë e guximshme të ICE-së i nënshtrohen akteve të dhunës, ngacmimit dhe madje edhe kërcënimeve nga qytetarë radikalë demokratë”.
Por, ai këmbënguli, “asgjë nuk do të na ndalojë të kryejmë misionin tonë (…) Agjentët e ICE-së urdhërohen me anë të kësaj të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të arritur qëllimin e bërjes realitet të programit më të madh të deportimit masiv në histori”.
“Demokratët e ekstremit të majtë, me mendje të sëmura, e urrejnë vendin tonë dhe duan të shkatërrojnë qendrat e qyteteve tona – dhe po ia dalin mbanë!”, shkroi presidenti amerikan në Twitter.
“Diçka nuk shkon me ta”, vazhdoi ai, duke lëshuar akuza të tjera të ngjashme, të tilla si dëshira për “kufij të hapur”, “të gjithë të bëhen transgjinorë” dhe “burrat të marrin pjesë në sportet e grave”.
Ai urdhëroi ICE-në dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit që të “përqendroheshin” në zemër të qyteteve, të cilat sipas tij ishin “të pllakosura nga krimi” dhe “vrasjet”.
Ai këmbënguli se e gjithë qeveria ishte urdhëruar t’i “kushtonte të gjitha burimet e mundshme” kësaj përpjekjeje dhe të “përmbyste migrimin e shkatërrimit masiv” – fraza që padyshim i referohet termit armë të shkatërrimit masiv – që “po i transformojnë qytetet tona dikur idilike në skena të distopisë së botës së tretë”.
«Keni mbështetjen time të palëkundur. Tani shkoni dhe bëni punën», shtoi ai—duke shkruar fjalinë e fundit me shkronja të mëdha—duke iu drejtuar agjentëve të ICE-së dhe «patriotëve» nga agjenci të tjera.
“Amerikanët e vërtetë të mbështesin çdo ditë”, theksoi gjithashtu Donald Trump.
Top Channel