
Aeroplanmbajtësja amerikane USS Nimitz është nisur drejt Lindjes së Mesme, teksa konflikti midis Izraelit dhe Iranit gjithmonë e më shumë po merr trajtat e një lufte të plotë.
Mediat britanike që përcjellin lajmin kujtojnë sesi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi më herët se Irani do të përballet me “fuqinë e plotë” të ushtrisë amerikane nëse sulmon SHBA-në gjatë konfliktit me Izraelin, pavarësisht raporteve se ishte pikërisht shefi i Shtëpisë së Bardhë ai që i vuri veton planeve të shtetit hebre për të vrarë liderin Suprem të Iranit.
“Nulmohemi në çfarëdolloj mënyre nga Irani, fuqia e plotë e Forcave të Armatosura të SHBA-së do të bjerë mbi ju në nivele të papara më parë”, ishte kërcënimi i Trumpit. Ndërkohë, një general Iranian pretendon se Pakistani ka kërcënuar të godasë shtetin hebre me armë atomike nëse kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu përdor armë bërthamore kundër Iranit.
Gjenerali Mohsen Rezaee, një drejtues i lartë në Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Iranit, citohet të ketë thënë në një intervistë se e kanë marrë tashmë nga Pakistani një garanci të tillë.
Pakistani dhe Izraeli janë dy nga nëntë vendet e botës që zotërojnë aktualisht armë nukleare, sipas ekspertëve. Ministri pakistanez i mbrojtjes, Khwaja Asif duket se i ka mohuar megjithatë pretendimet e gjeneralit Iranian duke kujtuar se “aftësia bërthamore e vendit të tij është për përfitimin e popullit të vet dhe mbrojtjen kundër planeve armiqësore”.
Top Channel