
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e eliminimit të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si një mënyrë për t’i dhënë fund përplasjes mes dy vendeve.
Në një intervistë për rrjetin amerikan ABC News, Netanyahu u shpreh se një goditje e tillë nuk do ta përshkallëzonte situatën, por, sipas tij, do ta përmbyllte konfliktin.
“Nuk do ta përkeqësonte, por do ta përfundonte atë,” u shpreh Netanyahu, kur u pyet për raportimet se Presidenti amerikan Donald Trump kishte vendosur veto ndaj një plani të mundshëm për të larguar fizikisht liderin suprem iranian, nga frika e një përshkallëzimi të pakontrolluar në Lindjen e Mesme.
Deklarata e Netanyahut vjen në një moment të tensionuar mes Izraelit dhe Iranit, pas javësh shkëmbimi sulmesh, goditjesh strategjike dhe kërcënimesh të ndërsjella. Kjo është hera e parë që një lider izraelit shprehet kaq hapur për një mundësi që do të përfaqësonte një përshkallëzim dramatik të luftës në rajon.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ana e Teheranit për këtë deklaratë, por çdo aludim për shënjestrimin e Khameneit konsiderohet nga Republika Islamike si një vijë e kuqe absolute. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, përballë rrezikut të një konflikti më të gjerë rajonal.
Top Channel