
Martesa madhështore e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, me partneren e tij Lauren Sánchez, e planifikuar për në fund të qershorit në Venecia, ka shkaktuar një valë zemërimi dhe protestash.
Aktivistët lokalë thonë se nuk janë kundër martesave, por kundër arrogancës së miliarderëve që “mendojnë se mund të blejnë çdo gjë, madje edhe Venecian”.
Platforma e re protestuese “S’ka vend për Bezos”, që bashkon aktivistët nga organizata dhe ambientalistë, ka paralajmëruar se do të pengojë fizikisht mbërritjen e çiftit në kishën ku do të mbahet ceremonia.
“Do ta bllokojmë hyrjen në kishë nga deti me varka, nga toka me trupat tanë. Edhe nëse vendosin zonë të kuqe, ne do të jemi aty”, thotë aktivistja Alice Bazzoli.
Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez pritet të festojnë për tre ditë në Venecia (26-28 qershor), me një maratonë luksoze dhe me rreth 200 të ftuar VIP si Oprah Winfrey, Mick Jagger, Lady Gaga, Eva Longoria, Katy Perry, Ivanka Trump dhe familja Kardashian.
Organizatorët e protestës theksojnë se kjo nuk është thjesht një martesë VIP-ash, por një simbol i kapjes së qytetit nga kapitali i madh dhe i interesave private. “Bezos përfaqëson gjithçka që është në kundërshtim me frymën e këtij qyteti: shfrytëzim, evazion fiskal dhe arrogancë”, deklaron Tommaso Cacciari, një nga figurat kryesore të protestës.
Ndërkohë, hotelet luksoze dhe shërbimet turistike lokale janë gati të përfitojnë. Por kritikët thonë se fitimet shkojnë vetëm tek elita: “Janë thërrime për vendasit. Fiton kapitalizmi financiar, jo populli i Venecias”, shton Stefano Micheletti nga lëvizja “No Grandi Navi”.
Guvernatori i rajonit, Luca Zaia, shprehu habinë e tij për këtë reagim: “Si mund të protestohet për 200 të ftuar, kur Venecia pret 150 mijë turistë në ditë? Pse jo Bezos, pse po diskriminohet sepse është i pasur?”
Por për protestuesit përgjigjja është e qartë: “Nuk është çështje pasurie. Është çështje dinjiteti. Venecia nuk është në shitje.”
Top Channel