
Një analizë e thelluar e botuar nga Corriere della Sera vë në dukje se konflikti i fundit midis Izraelit dhe Iranit mund të shënojë një etapë të re në dobësimin e ndikimit amerikan në skenën botërore.
Sipas gazetës italiane, historiografia e së ardhmes do të duhet të përcaktojë nëse kjo përplasje reflekton rënien e statusit të Shteteve të Bashkuara si superfuqi globale.
Edhe pse Amerika mbetet lidere teknologjike dhe ushtarake, ajo po humbet gradualisht kontrollin mbi sistemin ndërkombëtar. Ndërkohë që Donald Trump duket i pafuqishëm për të drejtuar ngjarjet — siç shihet edhe në përplasjet në Gaza apo agresionin rus ndaj Ukrainës — as administratat e tjera amerikane nuk kanë arritur të rikthejnë stabilitetin global.
Historia e rënies amerikane
Corriere della Sera identifikon një seri fenomenesh që karakterizojnë rënien amerikane: nga luhatjet në politikën ekonomike, si tarifat dhe dyshimet rreth rolin të dollarit si monedhë rezervë, tek përkeqësimi i luftërave dhe çrregullimet politike brenda vetë SHBA-së.
Në këtë kontekst, lufta në Lindjen e Mesme nuk është vetëm një përplasje rajonale, por një provë për fuqitë globale që mbështesin palët në konflikt.
Ngushtica e Hormuzit: Zemra e krizës
Një nga zonat më të ndjeshme të këtij konflikti mbetet Ngushtica e Hormuzit — një kalim strategjik me gjerësi vetëm 33 kilometra, përmes të cilit kalon më shumë se 20% e naftës botërore. Çdo kërcënim për bllokimin e këtij kalimi mund të shkaktojë tronditje të forta në tregjet globale të energjisë, duke rritur rrezikun e inflacionit dhe recesionit në Evropë dhe Itali.
Megjithatë, tregjet aktualisht tregojnë qetësi relative, ndoshta për shkak të veprimeve të Arabisë Saudite, që pak para përshkallëzimit të konfliktit, ka rritur prodhimin e naftës për të stabilizuar çmimet.
Pyetjet e mëdha: Rusia dhe Kina në lojë?
Corriere della Sera ngrenë edhe pyetje të rëndësishme: A do të përfitojë Rusia nga kjo krizë, duke përdorur tensionet për të rritur ndikimin e saj në rajon dhe për të lehtësuar presionin ndërkombëtar mbi veten? Dhe a do të jenë Shtetet e Bashkuara dhe Kina në gjendje të kontrollojnë aleatët e tyre, Izraelin dhe Iranin, për të shmangur një përshkallëzim më të madh?
Në sfond është edhe roli i Vladimir Putinit, i cili, sipas analizës, mund të shfrytëzojë shpërthimin në Lindjen e Mesme për të forcuar pozicionin e Rusisë dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare të agresionit ndaj Ukrainës, falë rritjeve të çmimeve të naftës.
Analiza e Corriere della Sera e sheh këtë konflikt si një simptomë të mëtejshme të një botë në ndryshim, ku superfuqitë tradicionale po humbasin kontrollin dhe rendi global po sfidohet nga përplasje të reja dhe aktorë të ndryshëm. Në këtë sfond, Lindja e Mesme mbetet një skenë kyçe, ku interesat energjetike, strategjike dhe politike ndërthuren me tensionet ndërkombëtare.
Top Channel