
Bashkimi Europian është i gatshëm të pranojë një tarifë fikse prej 10% për tregtinë me Shtetet e Bashkuara, me kusht që marrëveshja të përmbajë kritere të qarta dhe të përbashkëta mes palëve.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është shmangia e tarifave më të larta për sektorë strategjikë si automobilat, farmaceutikët dhe komponentët elektronikë.
Sipas administratës Trump, një marrëveshje e ngjashme për tarifat është gjithashtu e mundur edhe me Kanadanë, ndërsa negociatat vazhdojnë për të normalizuar marrëdhëniet tregtare.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka intensifikuar luftën kundër imigracionit të parregullt në SHBA. Presidenti Donald Trump ka urdhëruar agjencinë federale për kontrollin e doganave dhe imigracionit (ICE) që të forcojë operacionet e deportimit të emigrantëve të parregullt, veçanërisht në qytetet e mëdha të administruara nga Partia Demokratike, si Los Angeles, Chicago dhe New York.
Këto qytete u shfaqën si skena të protestave të mëdha gjatë fundjavës kundër politikave të ashpra të imigracionit të Shtëpisë së Bardhë. Trump i kërkoi agjentëve federalë “të bëjnë gjithçka që është e mundur” për të realizuar atë që ai e quajti “operacioni më i madh i deportimit masiv të emigrantëve të paligjshëm në histori”.
Top Channel