Alarmohet klubi italian, lojtarë dhe pjesëtarë të stafit përfundojnë në spital pas ndeshjes me Sampdorian

16/06/2025 16:20

Një situatë alarmante ka përfshirë klubin italian Salernitana, pasi 21 anëtarë të ekipit – përfshirë lojtarë dhe pjesëtarë të stafit – janë shtruar në spital pas kthimit nga ndeshja ndaj Sampdorias në Xhenova, mes dyshimeve për helmim ushqimor.

Ngjarja ndodhi pas ndeshjes së parë të play-out-it të Serie B, e zhvilluar në stadiumin “Marassi”, ku Sampdoria fitoi me rezultatin 2-0. Pas përfundimit të takimit, ekipi kampan u kthye në Salerno me një fluturim çarter, por gjatë udhëtimit, disa pjesëtarë të skuadrës filluan të ndiheshin keq.

Menjëherë pas mbërritjes në aeroportin Salerno-Costa d’Amalfi, u thirrën ambulanca për të transportuar të prekurit në spital. Dyshohet se helmimi është shkaktuar nga një drekë e paketuar me oriz, e konsumuar nga ekipi në qytetin ligurian.

Shumica e të shtruarve janë liruar gjatë natës dhe mëngjesit, megjithatë klubi anuloi seancën stërvitore të planifikuar për ditën e sotme dhe po shqyrton seriozisht mundësinë për të kërkuar shtyrjen e ndeshjes së kthimit ndaj Sampdorias, e cila është planifikuar për të premten, më 20 qershor, në stadiumin “Arechi”.

Deklaratë zyrtare nga Salernitana: “US Salernitana 1919 njofton se ka anuluar seancën stërvitore të sotme për shkak të helmimit serioz nga ushqimi që preku 21 anëtarë të ekipit, duke përfshirë lojtarë dhe staf, gjatë kthimit nga ndeshja ndaj Sampdorias. Situata kërkoi ndërhyrjen e ambulancave dhe shtrimin e një pjese të madhe të të prekurve në spital. Klubi ka njoftuar autoritetet kompetente dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtjen e shëndetit të anëtarëve të tij, duke rezervuar të drejtën për të ndërmarrë veprime në instancat përkatëse për të mbrojtur interesat e klubit.”

CEO i klubit, Maurizio Milan, deklaroi se janë të tronditur nga ngjarja dhe se shumë lojtarë aktualisht nuk janë në gjendje të paraqiten as për stërvitje. Klubi ka paraqitur një kërkesë zyrtare për shtyrjen e ndeshjes së kthimit dhe pret përgjigje nga Lega Serie B, ndërsa hetimet për shkaqet e helmimit janë në zhvillim.

Top Channel