
Eksperti për politikën e jashtme, që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Adrian Shtuni, u shpreh për “Top Story” se SHBA është e përfshirë në funksione mbrojtëse në konfliktin Izrael – Iran.
“SHBA është e përfshirë në këtë konflikt, por në funksione mbrojtëse, janë duke mbrojtur me mbrojtje kundërajrore Izraelin. Izraeli nuk ka nevojë në këtë moment për një mbështetje ushtarake, përtej mbrojtjes, sepse ka një nga flotat ajrore më të sofistikuara në botë. Irani nga krahu tjetër ka avionë F-14, që janë shitur para 1979 dhe disa avionë rusë të vjetër. Nuk ka krahasim forca e Iranit me forcën e Izraelit”.
I pyetur nga autorja dhe moderatorja Grida Duma nëse ka rrezik nuklear, Shtuni u përgjigj:
“Kemi goxha informacion që janë të dhëna prej vitesh që Irani po ndjek ambicien ushtarake nukleare, jo për përdorim civil, por për arsye ushtarake. Nëse pasurohet uraniumi nga 5 deri 20 përdoret për arsye civile, çdo gjë që shkon mbi 20% shkon përtej arsyeve civile. Në deklarata të ndryshme, del që pasurimi i uraniumiut ka arritur deri në 83%. Pjesën më të madhe të resurseve që janë deri në 60% e kanë në Isfahan. Nuk i ka goditur Izraeli ato lloj resursesh, sepse nuk do të krijojë ndotje nukleare, por Fordow, që është 800 metra nën tokë, është vendi ku i mbajnë kapacitetet kryesore. Izraeli nuk ka kapacitet për të shkatërruar atë lloj bunkeri”.
Top Channel