
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashic, njëherësh ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, e ka bërë të qartë prej javësh se adresa e tij e parë për bashkëpunim për krijimin e qeverisë së re është Albin Kurti.
Ligjvënësi nga radhët e komunitetit serb e pohoi edhe një herë se e drejta për ta propozuar emrin për kryeparlamentar i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe se është ende herët të flitet për mundësinë e përfshirjes së tij në një qeveri me partitë e ish-opozitës. Megjithatë, nuk e përjashtoi krejtësisht si mundësi.
“Vetëvendosje është partia më e madhe në Kosovë dhe pothuajse ka marrë gjysmën e numrit të deputetëve shqiptare, kështu që kjo është si parim se adresa e parë e imja të jetë partia më e madhe. Në bazë të eksperiencës sime politike unë e shoh se ka një potencial për bashkëpunim edhe më të thellë edhe më të frytshëm dhe bazuar në këtë, adresa e parë do të jetë zoti Kurti.
Por, sikurse kam thënë edhe më herët, pas 20 vjetëve eksperiencë që kam në politikë unë njihem personalisht me shumicën e kryetarëve të partive kështu që normale që kam komunikime me ta. Edhe nëse në një moment ndodh që të bisedohet me partitë e tjera normale që jemi të hapur, edhe pse normalisht jo cdo takim do të thotë patjetër konfirmim. Ka vetëm parime– vijat e kuqe nuk ekzistojnë – parime persa i përket bashkëpunimit eventual. Asgjë tjetër”, tha ai.
Sakaq, deputetët vazhdojnë të dështojnë në konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja. Ata u mblodhën sot për të 32-tën herë radhazi, pa gjetur zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik.
Madje në seancë u pa edhe një rënie e interesimit për pjesëmarrje, pasi vetëm 75 deputetë ishin të pranishëm nga 120 që ka Kuvendi i Kosovës.
Top Channel