
Është 94 vjeç dhe përveçse gëzon shëndet të plotë të cilin ja dedikon aktivitetit fizik dhe dashurisë për muzikën, Llazi Balashi nuk është thjesht një njeri me gati një shekull jetë mbi supe por një burim energjie dhe kujtimesh rrezatuese.
Ai di të përcjellë emocione të veçanta jo vetëm nga skena por edhe si një njeri që ka shumë për të rrëfyer.
Ishte viti 1949 kur Llazi vetëm 17 vjeç këndoi për herë të parë në kor dhe prej atij momenti karriera e tij artistike nuk do të kishte të ndalur. Sot ai është anëtari më i vjetër i Korit Lira të Korçës që llogarit më tepër se 75 vite aktivitet artistik. Rrugëtimi i gjatë si pjesë e formacionit asokohe për djaloshin e ri nisi frymëzuar nga nëna e tij, si edhe rrethanat e tjera familjare por mbi të gjitha nga pasioni i tij për këngën.
Për Llazin i cili po i afrohet një shekulli jete, kënga mbetet sekreti i jetëgjatësisë ndaj ai nuk mungon asnjëherë gjatë provave dhe në koncerte e po ashtu tregon se të vetmet raste kur e ka ndalur këngën kanë qenë ato të fatkeqësive.
Llazi Balashi është një nga ata njerëz që koha nuk i lodh, por i bën më të çmuar. Me zërin që ka përkëdhelur breza të tërë dhe me një shpirt të mbështjellë në këngë, ai mbetet simbol i gjallë i traditës korçare, dashurisë për jetën dhe për artin.
Top Channel