Qendër shëndetësore në muze! Rritja e fluksit të turistëve në Gjirokastër ka sjellë nevojën për një pikë emergjence

15/06/2025 13:57

Në zonën muzeale të Gjirokastrës ka nisur funksionimin një qendër e re shëndetësore, e ngritur për t’i bërë ballë nevojave shëndetësore që vijnë si pasojë e rritjes së fluksit turistik dhe temperaturave të larta gjatë sezonit të verës.

Qendra është menduar si një pikë e dedikuar për trajtimin e emergjencave të natyrave të ndryshme, të cilat janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në vitet e fundit. Rastet më të shpeshta përfshijnë dehidratimet, aksidentet me mjete motorrike, si dhe situata që lidhen me aktivitetet në natyrë si hiking dhe çiklizëm në zonat e thyer malore përreth qytetit, përfshirë malin e Gjerë. Prania e një shërbimi të tillë brenda zonës historike synon të sigurojë ndërhyrje të shpejtë në këto situata.

Drejtuesi i shërbimit vendor të shëndetit publik, Edi Sinoimeri, theksoi rëndësinë e strukturës së re.

“Gjatë verës së kaluar kemi hasur një sërë emergjencash: raste të dehidratimit, aksidente me mjete motorrike, por edhe incidente që lidhen me aktivitetet në natyrë si ecjet në terrene të thyer dhe çiklizëm. Në zonat e sipërme të qytetit, përfshirë malin e Gjerë, ka një interes të shtuar nga turistët për ecje dhe eksplorim, ndaj prania e shërbimit mjekësor pranë këtyre hapësirave është bërë e domosdoshme.”

Qendra është e pajisur për trajtimin e rasteve të menjëhershme dhe do të funksionojë si mbështetje për strukturat ekzistuese të sistemit shëndetësor në qytet.
Pjesë e stafit është edhe një infermiere e rikthyer nga Italia, e cila ndan përvojën e saj pas disa vitesh pune jashtë vendit.

“Kjo punë më motivon sepse është e gjallë, dinamike dhe përballesh me situata të ndryshme çdo ditë,” tha ajo.

“Njëkohësisht, për mua ka rëndësi edhe fakti që mund të kontribuoj në vendlindje dhe të jem pranë familjes.”

Sipas të dhënave nga institucionet vendore të turizmit, Gjirokastra ka pritur mbi 120 mijë vizitorë që nga fillimi i vitit, ndërsa vetëm Kalaja e Gjirokastrës ka regjistruar mbi 64 mijë hyrje deri në qershor.

Pritshmëritë janë që ky numër të rritet me të paktën 20% deri në fund të sezonit turistik.Përballë kësaj ngarkese, autoritetet vendore vlerësojnë se prania e një strukture të dedikuar shëndetësore në zonat më të frekuentuara është e domosdoshme për të garantuar përgjigje efikase në rastet urgjente, sidomos në kushte të motit ekstrem.

Top Channel