
Një muaj më parë, Rijo Thomas nga India erdhi në Shqipëri dhe u vendos në Gërmenj për të punuar si bari.
26-vjeçari nga India me profesion elektricist IT, la pas jetën teknologjike për t’iu kthyer pasionit të tij të hershëm, punës me kafshët.
“Kam studiuar për elektricist IT-je dhe lashë profesionin për të punuar si bari sepse më pëlqejnë kafshët. Shkova afër fshatit tim në një fermë dhe aty punova për 3 vite, ishte një fermë e vogël”, tha Thomas.
“Po kërkoja një punë në fermë bagëtish. Unë jam nga India. Para se të vija këtu punoja në një fermë në Indi por aty nuk ka shumë dhi, dele dhe lopë ndërsa këtu ka shumë. Erdha këtu para një muaji, aplikova për një punë ferme dhe u vendosa këtu”, u shpreh ai.
Për të jetesa në Shqipëri edhe pse për një kohë të shkurtër është një përvojë pozitive. Teksa tregon si është dita normale për një bari ai thotë se pasioni i tij për tu kujdesur për kafshët nuk është i rastësishëm por diçka e trashëguar
“Deri tani jam i kënaqur, njerëzit janë shumë miqësorë këtu. Zgjohem çdo ditë në 7 të mëngjesit për të shkuar në fermë dhe pasi mjel lopët dhe dhitë më pas dal për të kullotur bagëtitë. Kthehem rreth orës 7 të mbrëmjes në fermë dhe përsëri mjel bagëtitë”, tha bariu indian.
“Jam 26 vjeç dhe gjyshi im bën të njëjtin profesion, ndërsa babai im është shofer. Zgjodha të punoj si bari sepse i dua shumë kafshët, që i vogël më pëlqente kjo gjë. Më pëlqejnë kafshët por edhe Shqipëria pasi ka një natyrë të bukur dhe klimë shumë të mirë, besoj se e ardhmja është e mirë këtu”, shtoi Thomas.
Puna baritore në Shqipëri po zbehet vit pas viti si pasojë e të rinjve që braktisin fshatin pasi mes të tjerash e konsiderojnë këtë profesion si të vështirë dhe pak të vlerësuar.
Por Rijo i cili preferon të jetojë mes malesh dhe t’iu përkushtohet kafshëve pavarësisht vështirësive zgjedh të përcjellë një mesazh.
“Kam venë re se këtu puna e bariut nuk është e pëlqyeshme për të rinjtë, por dua t’iu them që duhet t’i duan kafshët, të kujdesen për to sepse janë shumë miqësore”, përfundoi ai.
Top Channel