Aventura në lumë që u kthye në tragjedi, prindërit e 12-vjeçarit shqiptar vendosën të shpëtojnë jetë të tjera fëmijësh! Letra e lamtumirës për vogëlushët  

15/06/2025 11:15

“Njerëzit ikin nga jeta jonë, sepse ashtu e do Zoti, nga zemra jonë nuk ikin asnjëherë, sepse kështu duam ne…”, është kjo letra e lamtumirës për dy të miturit që gjetën vdekjen tragjikisht në Greqi duke u mbytur në lumë, Spridhon Kristofor dhe Kleoni Fezollar, njëri grek dhe tjetri shqiptar.

Ata ishin vetëm 14 dhe 12 vjeç, e ndërsa ajo ditë do duhej të ishte një ditë e bukur dhe plot aventura, u kthye në tragjedi kur uji i lumit u mbushi mushkëritë e vogla. Edhe pse një tjetër shqiptar, Ledian Goga, u fut në ujë duke rrezikuar jetën, dhe arriti t’i nxirrte të gjallë, dy vogëlushët humbën jetën në spital.

Prindërit e tyre, treguan forcë, guxim dhe mirësi kur vendosën që organet e tyre t’i dhurojnë në spital, për të shpëtuar jetë të tjera.

Procedura për 14-vjeçarin grek është kryer ditën e djeshme, ndërsa sot do të kryhet procedura për 12-vjeçarin shqiptar.

Organizata Kombëtare e Transplanteve (NTO) po mbulon shpenzimet e funeralit të dy fëmijëve, pas një urdhri përkatës nga Ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis.

Top Channel