Një jaht luksoz i marrë me qira në Francë është përdorur nga trafikantë ndërkombëtarë për të transportuar emigrantë shqiptarë ilegalisht drejt Britanisë së Madhe.

Jahti, i quajtur Tacoma dhe me vlerë 70,000 paund, ishte marrë me qira në prill nga një burrë me pasaportë austriake, për një udhëtim të supozuar turistik përgjatë bregut të Bretanjës.

Sipas bashkëpronarëve të kompanisë charter “Eridan” në Brest, dokumentet e qiramarrësit – përfshirë pasaportën, certifikatën detare dhe të dhënat personale – dukeshin të rregullta. Por shumë shpejt, pas nisjes nga porti francez, drejtuesi i kompanisë, Valery Roue, vuri re përmes pajisjeve të gjurmimit se jahti kishte devijuar kursin drejt brigjeve britanike, thekson Daily Mail.

Më 13 prill, Forca Kufitare Britanike ndërhyri pranë grykëderdhjes së lumit Helford, afër Falmouth-it, dhe ndaloi jahtin. Në bord u gjetën 17 emigrantë shqiptarë, përfshirë një grua, që po përpiqeshin të hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Mendohet se ata ishin marrë nga një vend i fshehtë në bregun francez pak pas nisjes së jahtit.

Autoritetet britanike njoftuan se trafikantët ishin pjesë e një rrjeti kriminal që po përdor mjete luksoze detare për të shmangur kontrollin intensiv ndaj gomoneve në Kanalin e La Manshit. Pasagjerët e jahtit janë marrë në pyetje nga Agjencia Kombëtare e Krimeve, autoritetet e emigracionit dhe oficerë të Forcës Kufitare. Ata pritet të përballen me dëbim.

Dy nga anëtarët e ekuipazhit, shtetas shqiptarë në të 30-at, kanë pranuar fajësinë në një gjykatë në Bodmin për shkeljen e urdhrave të mëparshëm të dëbimit nga Britania dhe janë në pritje të dënimit.

Ndërkohë, personi që kishte marrë jahtin me qira – i prezantuar si austriak – është zhdukur pa gjurmë. Dokumentet që ai kishte paraqitur dyshohet se janë të falsifikuara dhe hetimet zbuluan se ai është me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Autoritetet britanike dhe franceze janë në ndjekje të tij në të gjithë Evropën dhe Ballkanin.

Pas 52 ditësh të sekuestruar në Cornwall, jahti Tacoma është rikthyer në Brest nga kompania franceze, megjithëse kjo e fundit është detyruar të paguajë tarifë për çdo ditë ndalimi të mjetit gjatë hetimit.

Ky nuk është rasti i vetëm i trafikut të emigrantëve me jaht këtë pranverë. Më 8 maj, një jaht tjetër i ngjashëm me Tacoma-n, i marrë me qira 14 milje larg nga La Trinité-sur-Mer, u gjet i braktisur në bregun britanik. Mendohet se edhe në këtë rast emigrantët, të cilët sipas autoriteteve janë gjithashtu shqiptarë, kanë zbritur fshehurazi në Britani.

Zyrtarët e Forcës Kufitare paralajmërojnë për rritjen e përdorimit të mjeteve detare private për trafik emigrantësh. “Ne patrullojmë 24 orë në ditë, por me qindra porte dhe marina, nuk është e mundur të kemi praninë tonë në çdo pikë,” deklaroi drejtori i operacioneve detare.

Ministria e Brendshme e Britanisë tha se ky rast tregon se bandat e kontrabandës po përshtatin taktikat e tyre për të shmangur kontrollet kufitare dhe për të çuar emigrantët në vend në mënyra të reja e më të sofistikuara.

Top Channel