Sulmi ndaj dy senatorëve në SHBA! Autori ishte veshur si polic, autoritetet thirrje qytetarëve: Kujdes nëse dikush iu troket…

14/06/2025 18:01

Një incident i rëndë ka tronditur shtetin e Minesotës në SHBA, në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ku një person i armatosur, i veshur si oficer policie, ka hapur zjarr ndaj dy politikanëve dhe më pas ndaj forcave të rendit.

Rreth orës 2 të mëngjesit me orën amerikane, policia u thirr në banesën e senatorit shtetëror të Minesotës, John Hoffman, pas raportimeve se ai dhe bashkëshortja e tij ishin qëlluar. Oficerët mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe ofruan ndihmën e parë për çiftin, të cilët më pas u transportuan në spital.

Vetëm pak më vonë, rreth orës 3:35, gjatë një kontrolli në shtëpinë e përfaqësueses shtetërore Melissa Hortman, oficerët vërejtën një makinë policie me drita ndezur në oborr dhe një person të veshur si polic duke dalë nga banesa. Sapo e panë, individi i armatosur hapi zjarr ndaj tyre, duke shkaktuar një përplasje me armë zjarri dhe më pas arriti të largohej nga vendi i ngjarjes.

Sipas autoriteteve, është në zhvillim një operacion i madh kërkimi nga Policia e Brooklyn Park, Zyrtarët e Sherifit të Qarkut Hennepin, Patrulla Shtetërore e Minesotës, FBI dhe Byroja e Hetimeve Kriminale. Ata dyshojnë se i njëjti person është përgjegjës për të dy sulmet.

Kreu i Policisë së Brooklyn Park, Mark Bruley, ka paralajmëruar qytetarët që të jenë tepër të kujdesshëm:
“Nëse dikush troket në derë dhe thotë se është polic, sigurohuni të telefononi 911 për të verifikuar identitetin e tij. Qendra e dispeçerisë do të konfirmojë nëse vërtet është oficer policie apo jo.”

Ky incident ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe mënyrën e identifikimit të forcave të rendit në komunitet.

Top Channel