
Policia e Los Angeles arrestoi 49 persona gjatë 24 orëve, pas shpërthimit të tensioneve në qendër të qytetit.
Ngjarja ndodhi gjatë natës së tretë të shtetrrethimit të vendosur në qytet, i cili është në fuqi çdo natë nga ora 20:00 deri në 06:00, me qëllim parandalimin e trazirave dhe veprimeve të dhunshme.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Los Angeles (LAPD), arrestimet u ndanë si më poshtë:
33 persona u arrestuan për mosshpërndarje pas shpalljes së tubimit si të paligjshëm.
13 persona u ndaluan për shkelje të orës policore.
1 person u arrestua për rezistencë ndaj një oficeri të policisë.
1 person u ndalua për drejtimin e një lazeri ndaj një aeroplani, një vepër penale që paraqet rrezik serioz për sigurinë ajrore.
1 tjetër u arrestua për vjedhje, pasi u ndalua fillimisht për shkelje të orës policore.
LAPD raportoi se gjatë ndërhyrjes për kontrollin e turmës u përdorën municione më pak vdekjeprurëse, për të shpërndarë pjesëmarrësit që nuk iu bindën urdhrave të autoriteteve.
Në një deklaratë të publikuar më herët gjatë javës në rrjetin social X (ish-Twitter), kryetarja e Bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, tha se shtetrrethimi është vendosur për të “ndaluar aktorët e këqij që po përfitojnë nga përshkallëzimi kaotik” dhe paralajmëroi se “individët që shkelin shtetrrethimin do të arrestohen dhe ndiqen penalisht.”
Top Channel