
Sëmundja që i merr jetën bagëtive të imta, ose e njohur ndryshe si murtaja e ruminantëve të vegjël, ka zgjeruar hartën e infektimit, duke e çuar numrin e kafshëve të asgjësuar në 1000.
Vetëm pak orë më parë analizat e laboratorit të referencës ISUV kanë vërtetuar që infeksioni i murtajës ka mbërritur edhe në Tiranë, saktësisht në Zallbastar.
Numri i vatrave të murtajës shkoi në gjashtë të shpërndara në tetë ferma blegtorale gjithsej.
Si fillim kjo sëmundje u shfaq në veri të Shqipërisë në Postrib të Shkodrës, e më pas në Dibër, Bulqizë, Korçë, Berat dhe së fundi në Tiranë.
Në çdo fermë që shfaqet infeksioni i murtajës, e gjithë tufa asgjësohet nga veterinerët me pistoletë për të parandaluar përhapjen e murtajës.
Edhe pse Ministria e Bujqësisë ka marrë një sërë masash parandaluese si ndalimin e panaireve dhe tregjeve të gjësë së gjallë, përsëri sëmundja brenda pak ditëve është shfaqur nga veriu në jug të vendit.
Fermerët e prekur nga kjo sëmundje thonë që murtaja ka mbërritur në fermat e tyre si pasoj e kontrabandës, dhe tregtimit të bagëtive me certifikata të falsifikuara shëndetësore që si vend origjinë kanë Rumaninë.
Nga ana tjetër ende nuk është marrë një vendim nëse këta fermerë që po u asgjësohen kafshët do të dëmshpërblehen ose jo.
Murtaja e ruminantëve deri më tani është shfaqur në gjashtë bashki të vendit, duke filluar nga Shkodra, Dibra, Bulqizë, Korça, Skrapari dhe së fundmi në Tiranë.
Top Channel