Telefonatë mes Netanyahut dhe Mitsotakis, kryeministri grek kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe zgjidhje diplomatike

14/06/2025 21:50

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun grek Kyriakos Mitsotakis, mes zhvillimeve të vrullshme në Lindjen e Mesme.

Sipas informacioneve përkatëse, biseda është zhvilluar me iniciativën e kryeministrit izraelit.

Sipas burimeve pranë zyrës së kryeministrit Mitsotakis, ky i fundit ka theksuar gjatë kësaj bisede se zgjidhja e krizës gjendet tek diplomacia. Kyriakos Mitsotakis theksoi nevojën për de-përshkallëzim të situatës-bëjnë të ditur të njëjtat burime.

Ai pranoi se Irani nuk duhet të pajiset me arsenal bërthamor, por theksoi se zgjidhja gjendet përmes diplomacisë dhe se gjëja e fundit që i nevojitet rajonit është hapja e fronteve të reja të luftës.

Ai theksoi gjithashtu urgjencën e një armëpushimi të menjëhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve dhe rrjedhjen e pakufizuar të ndihmës humanitare. Hollësi të tjera rreth bisedës nuk bëhen të ditura.

Ndërkohë dje në Athinë u zhvillua një mbledhje e jashtëzakonshme e KΥΣΕΑ-s (Këshilli për Çështje të Jashtme dhe Mbrojtjes) ku u theksua se Greqia është në gatishmëri të plotë pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis, deklaroi se gjatë mbledhjes u bë një vlerësim i situatës në rajon, ndërsa ministri i Jashtëm Georgios Gerapetritis informoi për situatën atje  dhe për ndihmën që po jepet që nga momenti i parë për shtetasit grekë që ndodhen në Izrael dhe në Iran. Qeveria ndjek me shqetësim zhvillimet që paraqesin rrezik për një përshkallëzim të rëndë të konfliktit në rajon -tha ai.

“Greqia i bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë destabilizim të mëtejshëm. Qëndrimi i palëkundur i Greqisë është se zgjidhjet duhen kërkuar përmes diplomacisë. Greqia do të vazhdojë të punojë në këtë drejtim me partnerë dhe aleatë, për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit më të gjerë”, thuhet në deklaratën për shtyp pas kësaj mbledhje.

Ministria e Jashtme greke ka aktivizuar Njësinë e Menaxhimit të Krizave për shtetasit grekë në Izrael dhe Iran. Dje u dhanë edhe udhëzime për shtetasit grekë në Izrael: të qëndrojnë në vende të sigurta pranë strehimeve dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore.

Në Izrael ndodhen rreth 4.500 shtetas grekë ose me origjinë greke dhe familjet e tyre, ndërsa në Teheran janë 50 deri në 70 shtetas grekë.

“Po bëhet një përpjekje e madhe. Nëse është e nevojshme, do të aktivizohet plani i evakuimit, i cili tashmë ekziston”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Greqisë Georgios Gerapetritis.

Top Channel